Pas një periudhe të tensionuar dhe spekulimesh në media, dëshmia e aktores së njohur turke Hande Erçel ka dalë në dritë, duke hedhur poshtë akuzat e rënda që e përfshijnë atë në aktivitete të paligjshme.
Informacionet e fundit nga gazetarja Ceylan Sever zbulojnë se Hande ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me organizata të paligjshme dhe përdorimin e substancave të ndaluara, duke mbrojtur kështu reputacionin e saj dhe të partnerit të saj, Hakan Sabancı.
Në dëshminë e saj, Hande thekson se përkushtimi i saj ndaj karrierës dhe arsimit është i palëkundur.
Ajo shprehet se aktualisht është duke vazhduar studimet në Universitetin e Arteve të Bukura ‘Mimar Sinan’, duke e përjashtuar mundësinë e një jete nate të çrregullt.
“Nuk kam jetë nate. Merrem me aktrim. Nga ambientet e ndryshme të përmendura në dosje, kam shkuar vetëm disa herë në pjesën e restorantit të Hotelit për takime pune.”
Ajo ka sqaruar gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje me personat e përmendur në akuzat e ngritura.
Hande thekson se nuk ka marrë pjesë në festa apo evente private që janë përfolur në media, duke shprehur qartë se nuk njeh asnjë nga organizatorët e këtyre aktiviteteve.
“Nuk kam marrë pjesë në asnjë festë apo event privat, të përfolur në media, që pretendohet se është organizuar nga biznesmenë të caktuar.”
Për sa i përket akuzave për përdorimin e substancave të palejuara, Hande ka qenë e qartë dhe e prerë.
Ajo thekson se ka qenë gjithmonë e kujdesshme për shëndetin e saj dhe se nuk ka përdorur asnjëherë substanca të tilla, duke mbrojtur gjithashtu partnerin e saj nga çdo akuzë të tillë.
“Në asnjë periudhë të jetës sime nuk kam përdorur substanca të tilla. Për shkak të profesionit tim, kujdesem për një jetesë të shëndetshme.”
Në përfundim të deklaratës së saj, Hande shpreh keqardhjen për përfshirjen e emrit të saj në këtë çështje, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë që ka ndaj publikut dhe admiruesve të saj, duke u përpjekur të jetë një shembull pozitiv për ata që e ndjekin.
“Ndiej keqardhje që emri im përmendet në këtë formë në një dosje të tillë dhe nuk i pranoj akuzat e ngritura ndaj meje.”