Shkrimtarja Mimoza Ahmeti vazhdon të dhurojë spektakël dhe të vërtetojë se është një nga personazhet më origjinalë të “Ferma VIP 3”.
Së fundmi, ajo ka shkaktuar të qeshura në rrjet me një kërkesë tërësisht të pazakontë dhe komike, drejtuar kryeministrit Edi Rama.
Teksa rrezikonte të humbiste sfidën e mbledhjes së lepujve brenda fermës dhe po humbiste pikë në lojë, Moza ka gjetur një “zgjidhje” teknologjike të nivelit të lartë.
Duke parë nga kamerat, ajo i ka bërë thirrje kreut të qeverisë që të vërë në punë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” për të lokalizuar lepujt e saj nga hapësira.
Me stilin e saj, ajo u shpreh: “Ej, kryeministër, a punon sateliti me i gjet içik lepujt e mi? Se vdiqa, nuk po marr plus, jam minus.
Lësho pak satelitin t’i kapin paf, zonën kuadratoje, fap, fap.
I them Edit unë, tani m’i gjen Edi në vend.
Gjeji o vëlla gjeji, t’i çfarë nuk gjen.
Te këto tokat e nxanuna kapi, fap, fap, izoloi aty se jam me minus.”
Por batutat e poetes nuk u ndalën vetëm te hapësira ajrore.
Për të “identifikuar” lepujt e saj, ajo kaloi te dixhitalizimi i shërbimeve, duke testuar sistemin e qeverisjes elektronike për të marrë certifikata personale për kafshët.
Gjatë monologut të saj epik por dhe ironik, Moza vazhdoi: “Ej, po me e-albania i gjej unë këto identitetet e këtyre?
Me e-albania do shoh unë, fap, fap, fap. Dua shtatë certifikata lepujsh me e-albania, ju lutem punon sistemi? Punoka! O sa mirë, se një ditë kur erdha nuk punonte. Shtatë certifikata lepujsh dua unë, t’i gjej identiteti se po kërkoj me identitet të panjohur.
Këto momente po qarkullojnë me shpejtësi në platformat sociale, duke dëshmuar edhe një herë se Mimoza Ahmeti është padiskutim një “fenomen” i vërtetë, e cila me humorin e saj unik po e kthen çdo sfidë të fermës në një shfaqje më vete.
