A është çështje fati apo thjesht vetëbesim?
Drilon Rama ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale një video nostalgjike nga një prej ditëve më të rëndësishme të rrugëtimit të tij televiziv.
Bëhet fjalë për kohën e izolimit, pikërisht para se të bëhej pjesë e shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova 3”.
Nëse menduat se ai thjesht po përgatitej për dinamikat brenda shtëpisë, detaji më interesant i videos tregon diçka tjetër: një letër ku ai kishte shkruar atë që do të ndodhte rreth 100 ditë më vonë.
Në pamjet e publikuara, mbi një letër me logon e hotelit ku po qëndronte i izoluar në Prishtinë, shihet shkrimi i tij i dorës: “fitues i bigit 2024 usht Drilon Rama”.
Një parashikim që në fakt rezultoi i saktë. Boksieri, i cili e nisi aventurën e tij televizive në vjeshtën e vitit 2024, ia doli të shpallej fitues në finalen e janarit të 2025-ës.
Ky detaj tregon se ai ka hyrë në format me një bindje të qartë për synimin e tij, qysh në dhomën e hotelit para se të niste loja e vërtetë.
Sa i përket jetës aktuale pas asaj fitoreje, ish-banori ka zgjedhur një rrugë më të qetë.
Gjatë muajve të fundit, Driloni është tërhequr ndjeshëm nga jeta publike, duke qëndruar larg intervistave dhe daljeve të shpeshta televizive.
Megjithatë, ai mbetet i fokusuar te sporti, i cili është angazhimi i tij kryesor. Driloni qëndron aktiv përmes rrjeteve sociale, ku ndan me ndjekësit momente nga stërvitjet dhe përditshmëria, duke treguar se aktualisht preferon qetësinë larg vëmendjes së showbiz-it. /Prive By Liberta Spahiu