Dua Lipa dhe Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.
Këngëtarja me famë botërore dhe aktori britanik i Hollivudit i thanë “po” njëri-tjetrit gjatë një ceremonie private të zhvilluar në Bashkinë e Old Marylebone në Londër.
Të ftuar ishin vetëm familjarët dhe miqtë më të afërt të çiftit. Pas ceremonisë, të ftuarit i pritën të sapomartuarit me konfeti teksa ata largoheshin nga godina e gjendjes civile.
Dua Lipa u shfaq e veshur me një fustan të bardhë elegant, të kombinuar me doreza dhe kapelë, ndërsa Callum Turner zgjodhi një kostum klasik ngjyrë blu të errët. Çifti u pa duke ecur dorë për dore dhe duke festuar momentin e veçantë me buzëqeshje.
Dua Lipa dhe Callum Turner i thonë “po” njëri-tjetrit,
Ceremonia në Londër shënon vetëm hapin e parë të festimeve të martesës. Mediat britanike raportojnë se çifti po përgatitet për një dasmë madhështore tre-ditore në Siçili, ku pritet të marrin pjesë figura të njohura të muzikës dhe ekranit.
Mes emrave që përfliten në listën e të ftuarve janë këngëtaret Charli XCX dhe Tove Lo, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në festë të performojë edhe Elton John, me të cilin Dua Lipa bashkëpunoi në hitin “Cold Heart”.
Dua Lipa dhe Callum Turner u fejuan në fund të vitit 2024, pas rreth një viti lidhjeje. Në një intervistë të mëparshme, artistja kishte treguar emocionet e saj për martesën dhe të ardhmen me partnerin.
“Ky vendim për t’u plakur së bashku dhe për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë është një ndjenjë vërtet e veçantë”, është shprehur Dua Lipa.
Çifti tashmë ka nisur një kapitull të ri në jetën e tyre, ndërsa vëmendja e mediave është përqendruar te festimet luksoze që pritet të zhvillohen në ditët në vijim në Itali.


