Pas shumë spekulimeve dhe aludimeve që kanë qarkulluar ndër vite për raportin e saj me motrën, Dafina Zeqiri, Besa Zeqiri ka vendosur të flasë hapur dhe të sqarojë njëherë e mirë të vërtetën mbi marrëdhënien mes tyre.
Në një intervistë të dhënë pas publikimit të projektit të saj më të ri muzikor, Besa u ndal te raporti familjar me këngëtaren e njohur, duke theksuar se pavarësisht zërave që kanë qarkulluar, dashuria dhe respekti mes tyre nuk janë lëkundur asnjëherë.
Ajo tregoi se diferenca e vogël në moshë ka bërë që të rriten shumë pranë njëra-tjetrës, duke krijuar një lidhje të veçantë që vazhdon edhe sot.
Sipas Besës, pavarësisht faktit që secila tashmë ka jetën, familjen dhe angazhimet e veta, raporti motër-vëlla mbetet i pandryshueshëm dhe mbi çdo gjë tjetër.
Deklarata që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte ajo ku ajo shprehu gatishmërinë e saj për të bërë gjithçka për motrën.
“E respektoj dhe e dua motrën time pafund. Nëse nesër marr një telefonatë ku dikush më thotë ‘motrës tënde i duhet një veshkë’, unë jam aty për t’ia dhënë”, u shpreh ajo.
Besa komentoi gjithashtu edhe pjesëmarrjen në dasmën e Dafinës, një moment që u komentua gjerësisht nga publiku dhe mediat rozë. Megjithatë, ajo preferoi ta konsiderojë atë si një kujtim të bukur dhe një moment pozitiv në raportin e tyre familjar.
Në rrëfimin e saj, Besa la të kuptohet se rrugëtimet e ndryshme jetësore mund t’i kenë vendosur në etapa të ndryshme, por kjo nuk ka ndikuar në ndjenjat që ato kanë për njëra-tjetrën.
Me deklaratat e saj, ajo duket se ka hedhur poshtë spekulimet për një raport të ftohtë mes motrave, duke konfirmuar se lidhja familjare vazhdon të mbetet e fortë dhe e veçantë.

