Vetëm dy javë para finales së madhe të Ferma VIP 3, spektakli është përfshirë nga një zhvillim i papritur që ka tronditur jo vetëm fermerët, por edhe publikun që ndjek me interes garën.
Konkurrenti Sorgin është përjashtuar nga formati pas një vendimi të marrë nga Agai, duke humbur kështu mundësinë për të vazhduar rrugëtimin drejt finales së madhe.
Lajmi u bë publik pak minuta para nisjes së spektaklit, ndërsa fermerët nuk kishin asnjë informacion paraprak lidhur me atë që kishte ndodhur.
Ishte moderatorja Arbana Osmani ajo që komunikoi vendimin, duke bërë të ditur se përjashtimi erdhi pasi Sorgini kishte kërkuar informacione nga jashtë, veprim që bie ndesh me rregullat e formatit dhe konsiderohet shkelje serioze.
Vendimi shkaktoi habi mes banorëve të fermës, të cilët shprehën keqardhje për largimin e tij dhe i uruan sukses në vazhdim të jetës jashtë garës.
Përjashtimi vjen në një moment vendimtar të lojës, kur gara për çmimin e madh është bërë më e fortë se kurrë dhe secili nga konkurrentët po lufton për një vend në finale.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse ky zhvillim do të ndikojë edhe në televotimin e hapur për mbrëmjen e sotme, ku në nominim ndodhen Zhaku, Sara Karaj dhe Ilir Shaqiri.
Ferma VIP 3 nisi transmetimin më 27 mars dhe finalja e madhe është planifikuar të mbahet më 15 qershor, ku do të kurorëzohet fituesi i këtij edicioni.

