Reperja e njohur Tayna ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj, duke festuar tetë vjet në skenën muzikore me promovimin e albumit të ri “Genesis”.
Në një event madhështor të organizuar për këtë rast, artistja jo vetëm që prezantoi projektin e saj më të ri, por edhe rikujtoi rrugëtimin që e ka sjellë deri në majat e suksesit.
Gjatë një interviste për “Prive by Liberta Spahiu”, Tayna ndau kujtime nga fillimet e saj, kur ende nuk ishte një emër i njohur për publikun dhe po punonte për projektin që do t’ia ndryshonte jetën.
Artistja kujtoi me nostalgji xhirimet e videoklipit të hitit “Columbiana”, këngë që shënoi kthesën më të madhe në karrierën e saj.
“Me kujtohet, pata bërë klipin në Fushë Kosovë në një shisha bar dhe krejt klientët shikonin, sepse atëherë unë nuk isha e njohshme”, u shpreh ajo.
Sot, pas tetë vitesh në industrinë muzikore, Tayna konsiderohet një nga artistet më të suksesshme shqiptare, me projekte që kanë kaluar kufijtë kombëtarë dhe kanë arritur audienca ndërkombëtare.
E pyetur nëse e kishte imagjinuar ndonjëherë suksesin që po jeton sot, reperja dha një përgjigje që reflekton vetëbesimin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës.
“Po, e kam ditur që dikur ka me ndodhur kjo që po ndodh sot”, deklaroi ajo.
Sa i përket albumit të ri “Genesis”, Tayna tregoi se procesi i krijimit ka qenë shumë spontan dhe i shpejtë, falë frymëzimit të madh që kishte në atë periudhë.
Sipas saj, albumi është një reflektim i drejtpërdrejtë i jetës së saj personale dhe përvojave që ka kaluar gjatë viteve.
“E kam bërë shumë shpejt sepse më ka ardhur frymëzimi kreativ dhe për tre muaj e kam përfunduar”, tha artistja.
Me “Genesis”, Tayna jo vetëm që feston një kapitull të rëndësishëm të karrierës së saj, por edhe hap një etapë të re artistike që fansat po e presin me shumë interes.

