Gazetarja e Top Channel, Sidorela Gjoni, është kthyer në një nga emrat më të komentuar në rrjet gjatë 24 orëve të fundit, pas përballjes së saj me kryeministrin Edi Rama në emisionin “Shqipëria Live”.
Rama ishte i ftuar në një lidhje virtuale për të folur mbi debatin që ka përfshirë vendin pas zhvillimeve në Zvërnec dhe Sazan, ku projekti i Jared Kushner ka nxitur reagime të shumta dhe protesta në Tiranë.
Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje nuk ishte vetë tema e diskutimit, por momenti i tensionuar mes kryeministrit dhe gazetares.
Gjatë intervistës, Rama i kërkoi Sidorela Gjonit që të kërkonte falje për atë që ai e cilësoi si dezinformim, pasi gazetarja kishte deklaruar më herët se Ivanka Trump kishte marrë ishullin e Sazanit.
Por përgjigjja e gazetares ishte e menjëhershme. Ajo tha se nuk kishte asnjë arsye për të kërkuar falje, duke shtuar se falje duhet të kërkojë dikush që ka mbi një dekadë në pushtet dhe ende flet për nevojën e më shumë kohe për të garantuar shërbime bazë.
“Falje duhet t’i kërkojë dikush që ka 13-14 vite në pushtet dhe u thotë qytetarëve se i duhet ende kohë për të siguruar ujë dhe drita 24 orë”, u shpreh ajo, një deklaratë që u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale.
Pas intervistës, reagimet në mbështetje të gazetares kanë qenë të shumta. Përdorues të shumtë kanë vlerësuar mënyrën si ajo u përball me kryeministrin, duke e konsideruar si një nga momentet më të forta televizive të ditëve të fundit.
Mbështetja është reflektuar edhe në rrjetet sociale. Sipas të dhënave të siguruara nga “Lokimagazine”, Sidorela Gjoni ka fituar rreth 10 mijë ndjekës në Instagram brenda pak orësh, duke kaluar nga 32 mijë në më shumë se 42 mijë ndjekës.
Rritja e menjëhershme e audiencës së saj po interpretohet si një reagim i drejtpërdrejtë i publikut pas përplasjes së bujshme me kryeministrin, e cila vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në rrjet.
