Profesori amerikan, Daniel Serwer ka folur lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai u shpreh se është penduar që ka mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara, pasi që sipas tij mbajtja në paraburgim e katërshes së UÇK-së, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor për kohë të gjatë është e pajustifikuar.
Ai përmendi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në.
“Sigurisht që nuk e kam idenë se çfarë vendimi do të marrin. Ajo që do të thosha është se pendohem që e kam mbështetur krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara, sepse mendoj se paraburgimi i gjatë, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor, ka qenë i pajustifikuar sipas mendimit tim. Nuk di ndonjë rrethanë që do ta justifikonte këtë, por nuk jam jurist dhe do të më duhet të pranoj çfarëdo vendimi që ata të marrin. Ndjenja ime e fortë, veçanërisht sa i përket Hashim Thaçit, sepse e njoh atë dhe e njoh më mirë rolin e tij sesa të të tjerëve, është se ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në. Prandaj, mbajtja e tij përgjegjës mbi këtë bazë do të ishte një gabim i rëndë”, tha Serwer për EkonomiaOnline.
I pyetur se a pret lirimin e tyre, Serwer u përgjigj shkurt. “Nuk pres asgjë”, tha ai, por shtoi se duhet të respektohet çfarëdo vendimi që merr gjykata.
“Mendoj se duhet të respektohet çfarëdo vendimi që merr gjykata, por kjo nuk e ndryshon pikëpamjen time nëse një dënim është i justifikuar apo jo. Të tjerët nuk i njoh mirë, por Hashimin e njoh dhe e kam takuar menjëherë pas luftës. E pyeta për rolin e tij në UÇK dhe e di se ai rol nuk përfshinte autoritet komandues”, u shpreh ai.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./EO/