Këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj ka thyer heshtjen lidhur me spekulimet e fundit që e lidhin atë me hetime nga SPAK-u, duke i quajtur ato si të pavërteta dhe të rreme.
Me një postim të fuqishëm në InstaStory, ajo ka sqaruar se nuk është subjekt i asnjë hetimi, duke theksuar se informacionet që qarkullojnë janë të pabazuara dhe keqinformuese.
“Portalet dhe faqet që kanë publikuar ose shpërndarë lajme të pavërteta duke përfshirë emrin tim kanë keqinformuar opinionin publik”, ka shkruar ajo, duke shprehur indinjatën e saj për këtë situatë.
Xhensila ka theksuar se çdo pretendim që sugjeron ndryshe është i rremë dhe dëmton figurën, dinjitetin dhe reputacionin e saj si artiste.
“Çdo shpifje apo informacion i pavërtetë që dëmton reputacionin tim do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore”, ka paralajmëruar ajo, duke treguar se nuk do të lejojë që këto akuza të kalojnë pa përgjigje.
Për më tepër, këngëtarja ka theksuar se këto pretendime kanë qarkulluar për një kohë të gjatë në media dhe rrjetet sociale, por me këtë reagim ajo ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me hetimet nga SPAK-u.
Xhensila Myrtezaj është një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare, e njohur për stilin e saj të veçantë dhe zërin karakteristik. Ajo ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme me një sërë hitesh që kanë bërë jehonë në publik.
