Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar të zbusë reagimet ndaj deklaratës së ministres Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”, por njëkohësisht ka përsëritur narrativën zyrtare të Beogradit duke pretenduar se spastrimi etnik në Kosovë është kryer ndaj serbëve, e jo ndaj shqiptarëve.
Duke folur para gazetarëve, Vuçiq tha se deklarata e Paunoviqit nuk përfaqëson politikën e tij dhe as të Qeverisë së Serbisë, duke e cilësuar atë si “të pakujdesshme dhe jo mjaftueshëm të përgjegjshme”.
“Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë është dialogu, kompromisi, bisedimet dhe kurrë spastrimi etnik”, deklaroi Vuçiq.
Megjithatë, në vend që të dënonte qartë deklaratën e ministres ose të pranonte krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, presidenti serb pretendoi se viktima të spastrimit etnik kanë qenë serbët e jo shqiptarët.
“250 mijë serbë, jo shqiptarë, u spastruan etnikisht”, tha Vuçiq, duke përsëritur pretendimin e kahershëm të Beogradit për ngjarjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Njëjtë deklaroi më herët edhe Ivica Daçiq. Ai ka përsëritur pretendimin se pas luftës së vitit 1999 nga Kosova janë larguar rreth 240 mijë serbë dhe se një numër i vogël i tyre janë kthyer.
Ndërkaq Vuçiq pretendon se vetë Snezhana Paunoviq është “viktimë e spastrimit etnik”, ndërsa tha se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe dialogut.
Këto pretendime janë përdorur vazhdimisht nga zyrtarët serbë në diskursin politik ndaj Kosovës, ndërsa organizatat ndërkombëtare dhe raportet e ndryshme kanë trajtuar në mënyrë më të gjerë dhe komplekse çështjen e zhvendosjeve të popullsisë gjatë dhe pas luftës.
Autoritetet e Kosovës e kanë shpallur Paunoviqin ‘persona non grata’ dhe i kanë ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës./Telegrafi/