Një dasmë shqiptare: Turistja e befasuar fton të tjerët në festë

Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Shkup, ku turistja Kennie Anne Alindogan ka përjetuar një aventurë të papritur që e ka bërë atë të ndjehet pjesë e kulturës shqiptare.

Pas mbërritjes në Maqedoninë e Veriut, ajo u gjend në një atmosferë të gjallë festive, pa e ditur se çfarë po e priste.

Vetëm pak minuta pas zbritjes nga autobusi, Alindogan u përfshi në kolonën e automjeteve të një dasme shqiptare, një moment që e ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

“Zbrita nga autobusi dhe pesë minuta më vonë, pa e kuptuar, u bëra pjesë e kolonës së dasmës,” ka shkruar ajo në postimin e saj, duke shprehur habinë për këtë rastësi të veçantë.

Edhe pse nuk njihte askënd nga të pranishmit, ajo vendosi të pranojë ftesën për t’u bashkuar me festën, duke e përjetuar këtë moment si një mundësi për të krijuar kujtime të reja.

“Nuk e dija kush ishin ata njerëz, por kur më thanë të hipja në makinë, mendova: ‘Epo… ose kjo do të jetë fillimi i një historie fantastike, ose i një dokumentari të Netflix-it’,” ka thënë ajo, duke e shoqëruar këtë përvojë me humor.

Pas kësaj aventure, Alindogan shprehu mirënjohjen e saj për mikpritjen shqiptare, duke e cilësuar këtë përvojë si një kujtim të paharrueshëm. “Fatmirësisht, doli të ishte e para. Shqiptarët janë shumë të mrekullueshëm! Ju dua shumë,” ka shkruar ajo.

Me këtë rast, ajo u bëri thirrje ndjekësve të saj në rrjetet sociale për të ndihmuar në gjetjen e dy shqiptarëve që e ftuan në këtë dasmë, duke shprehur dëshirën për t’i falënderuar ata personalisht për këtë përvojë të veçantë.

“Internet, bëje magjinë tënde dhe më ndihmo t’i gjej këta dy shqiptarë. Dua t’i falënderoj siç duhet për këtë kujtim kaq të bukur!” ka përfunduar ajo, duke e lënë publikun të emocionuar dhe të interesuar për këtë histori të veçantë.

Nga Rubrika