Përcaktimi i gjinisë së foshnjës është një temë që ka shkaktuar debate të shumta, sidomos në kontekstin e besimeve popullore. Në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, andrologu Mentor Spahiu dhe gjinekologia Trina Nushi-Jahjaga diskutuan mbi mënyrat natyrale të përcaktimit të gjinisë dhe mitet që e rrethojnë këtë çështje.
Spahiu theksoi se në rastet e shtatzënisë natyrale, gjinia e foshnjës përcaktohet ekskluzivisht nga spermatozoidi i mashkullit. Ai shpjegoi se mashkulli prodhon dy lloje spermatozoidesh, ato që bartin kromozomin X dhe Y, ku Y përcakton lindjen e djalit dhe X të vajzës.
“Në mënyrë natyrale, nëse ndodh shtatzënia, është çështje që e përcakton vetëm mashkulli. Ka mite dhe teori rreth mënyrave se si mund të arrihet te një fryt mashkull apo femër, por mjekësia nuk i ka verifikuar,” tha Spahiu.
Gjatë diskutimit, gazetarja Paulina Nushi Jahjaga përmendi disa metoda tradicionale që janë përdorur për të ndikuar në gjininë e fëmijës. Këto metoda, sipas saj, janë të njohura dhe kanë kaluar nga brezi në brez, por shpesh janë të paqëndrueshme.
Andrologu Spahiu e theksoi se disa nga këto besime kanë origjinë që nga Greqia Antike, ku besohej se njëri prej testikujve lidhej me lindjen e djalit, duke krijuar kështu një mit të thellë në kulturën e tyre.
Gjinekologia Nushi-Jahjaga ndau përvojën e saj personale, duke treguar se kishte provuar një nga metodat popullore, por pa sukses. Ajo e përmendi kalendarin kinez si një nga këto metoda, duke theksuar se rezultati ishte krejtësisht i kundërt.
“Kam testuar me kalendarin kinez shtatzëninë e dytë, por e kundërta më doli,” tha ajo.
Nushi-Jahjaga po ashtu theksoi se shpeshherë kërkesa për një gjini të caktuar të fëmijës vjen si rezultat i presionit shoqëror, sidomos ndaj grave. Ajo e përshkroi situatën ku femrat ndihen të detyruara të kërkojnë një djalë, për shkak të pritshmërive të shoqërisë.
“Femra është ajo që kërkon një gjini mashkullore kur çiftet lajmërohen në spital. Mashkulli ka qenë më neutral, por shtytja ka qenë nga ana e femrës, ndoshta nga presioni apo kompleksi. ‘I paske katër çika? Qysh po do me lanë burrin pa trashëgues?’”, shprehet Nushi-Jahjaga.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që u diskutua ishte se në Kosovë është e ndaluar përcaktimi i gjinisë së fëmijës nga çiftet, një rregull që synon të reduktojë presionin dhe stereotipet shoqërore që lidhen me këtë çështje.