Shakira ka bërë një rikthim emocionues në të kaluarën duke publikuar një fotografi të njohur nga vitet ’90, e cila ka fituar popullaritet si një nga memet më të dashura në internet.
Këngëtarja e njohur ndau me ndjekësit e saj në Instagram një imazh që i ngjan shumë asaj që kishte realizuar në vitin 1997, ku ajo shfaqet në fillimet e karrierës së saj, ulur përpara një kompjuteri të vjetër.
Me këtë postim, Shakira shkroi: “Kam ndjesinë se e kam parë këtë më parë”, duke evokuar një ndjenjë nostalgjie për fansat e saj.

Fotografia origjinale ishte realizuar në vitin 1997 në redaksinë e gazetës kolumbiane “El Heraldo”, në një kohë kur Shakira po fillonte të bëhej e njohur në skenën muzikore ndërkombëtare.
Me kalimin e viteve, përdoruesit e internetit e kanë vënë re se kompjuteri në foto ishte i fikur, duke e kthyer atë në një meme që përdoret për të ilustruar humorin rreth teknologjisë së vjetër dhe fillimeve të rrjeteve sociale.
Rikrijimi i kësaj fotografie ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku shumë fansa janë habitur nga pamja e Shakirës dhe kanë komentuar se ajo duket pothuajse e pandryshuar pas afro 30 vitesh.
Komentet si “Ajo nuk plaket” dhe “Si është e mundur që nuk ka ndryshuar fare?” janë shpërndarë gjerësisht nga ndjekësit, të cilët e vlerësuan pamjen dhe energjinë e saj të përhershme.