Mesfushori dhe kapiteni i Atalantës, Marten De Roon, ka ndarë një mesazh të ndjerë për Berat Gjimshitin, i cili ka vendosur të largohet nga klubi për të vazhduar karrierën e tij në Al Diriyah. Në këtë moment të veçantë, De Roon shpreh ndjenjat e tij për një mik të çmuar dhe një bashkëpunëtor të shkëlqyer.
“Miku im, si mund të gjej fjalët e duhura për të përshkruar gjithçka që kemi përjetuar së bashku gjatë dhjetë viteve të fundit?” fillon De Roon, duke reflektuar mbi vitet e kaluara me Gjimshitin. Ai përmend se nga momentet e para me trajnerin Reja deri në ditët e sotme, ata kanë kaluar shumë sfida dhe suksese së bashku.
“Zhgënjimet dhe fitoret e jashtëzakonshme, historia që kemi shkruar, e kemi çuar Atalantën në të gjithë Europën,” vazhdon ai. “Ne kemi përballur klubet më të mëdha dhe lojtarët më të fortë në botë, duke arritur në Champions League, ‘Europa League’ dhe finale të Kupës së Italisë. Praktikisht çdo gjë që një futbollist mund të dëshirojë, e kemi përjetuar së bashku.”
Një moment i veçantë që De Roon veçon është gjesti i Gjimshitit pas triumfit në “Europa League”. “Në një moment kur mund të tërhiqje gjithë vëmendjen dhe të shijoje lavdinë tënde, ti mendove për Rafa dhe mua, dy njerëz me të cilët kishe ndarë kaq shumë, por që po kalonim një periudhë të vështirë. Ai gjest të përshkruan më mirë se çdo fjalë. Më preku thellë,” shprehet ai me emocion.
Duke e cilësuar Gjimshitin si “një legjendë të këtij klubi”, De Roon thekson se ai është më shumë se një shok, por një njeri me rëndësi të jashtëzakonshme në jetën e tij. “Jam i sigurt se rrugët tona do të kryqëzohen sërish. Faleminderit për gjithçka!” përfundon ai, duke lënë një mesazh të fortë për të gjithë ata që e njohin Gjimshitin.