Skandali i FIFA-s: Akuzat ndaj Infantino dhe komploti që trondit UEFA-n

Zbulime të reja nga “Telegraph” hedhin dritë mbi një skandal që mund të dëmtojë rëndë imazhin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Një pagesë prej 150 mijë paundësh (mbi 175 mijë euro) për një punonjëse të UEFA-s, me të cilën dyshohet se kishte lidhje, ka ngritur shumë pyetje mbi etikën e tij në drejtimin e futbollit ndërkombëtar.

Gjatë kohës që punonjësja ishte në marrëdhënie me Infantino, ajo kaloi nga një detyrë ekzekutive në një rol drejtues, duke përfituar një rritje pagash prej rreth 25 mijë paundësh në vit (rreth 30 mijë euro). Pas largimit të saj të papritur nga UEFA në fund të vitit 2011, ajo mori një shpërblim të konsiderueshëm, përfshirë mbulimin e plotë të një masteri në Administrim Biznesi (MBA) dhe një vend pune në një organizatë tjetër të rëndësishme sportive ndërkombëtare.

Raportet sugjerojnë se Michel Platini, pas marrjes së informacionit, kërkoi largimin e saj për të ruajtur imazhin e UEFA-s. Platini beson se kjo situatë është e lidhur ngushtë me akuzat që çuan në pezullimin e tij dhe fundin e karrierës së tij drejtuese. Në qershor, ai depozitoi një kallëzim penal në Paris kundër Infantinos dhe pesë drejtuesve zviceranë, duke pretenduar se ekziston një komplot kundër tij.

Ndërkohë, situata po përkeqësohet për Infantinos, pasi 142 nga 211 federata kanë firmosur një deklaratë që e kundërshton atë. Kjo tregon se mbështetja për të mund të jetë në rrezik, duke paralajmëruar se ai mund të humbasë mbështetje për rizgjedhjen e tij vitin e ardhshëm.

Nga Rubrika