Këngëtarja e njohur shqiptare Nora Istrefi ka ndarë me publikun një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj, atë të shtatzënisë dhe lindjes së vajzës së saj, Renee.
Ajo ka folur hapur për frikërat dhe sfidat që ka përjetuar gjatë kësaj periudhe, duke zbuluar se si ato kanë ndikuar në karrierën e saj muzikore.
Nora, e njohur për hitet e saj si “Dy shokë”, ka shprehur shqetësimin se ardhja e fëmijës mund të ndikonte negativisht në karrierën e saj. Ajo ka vërejtur se disa kolege të saj, pas lindjes, ishin larguar nga industria muzikore dhe kjo e kishte frikësuar atë.
“Kam parë se shumë nga koleget e mia që ishin bërë nëna, ishin harruar nga industria dhe nuk ishin më aktive. Kjo më kishte bërë të mendoj se ndoshta edhe unë do të përballesha me të njëjtin fat,” ka rrëfyer Nora, duke theksuar pasigurinë që ndiente për të ardhmen e saj në muzikë.
Megjithatë, pas lindjes së Renee, gjithçka mori një drejtim të ri. Nora ka zbuluar se mëmësia e ka motivuar atë të vazhdojë me karrierën e saj. “Kur erdhi në jetë Renee, ndjeva një inspirim të ri. E kuptova se kjo është ajo që unë e bëj më së miri dhe nuk ka arsye të ndalem,” ka thënë ajo.
Artisja ka theksuar se ndjenja e përgjegjësisë si nënë e ka bërë atë më të fortë dhe më të vendosur për të vazhduar në muzikë. “Edhe fizikisht kam ndjerë një ndryshim pozitiv dhe kjo më ka ndihmuar të vazhdoj,” ka shtuar Nora, duke e përshkruar këtë periudhë si një transformim të rëndësishëm në jetën e saj.