Grida Duma reagon ndaj thashethemeve për postin e zv.kryeministres

Grida Duma ka hedhur poshtë me forcë thashethemet që e lidhin me një post qeveritar në qeverinë e Edi Ramës, duke u shprehur se këto pretendime janë të pabaza.

Ajo e bëri këtë deklaratë përmes një postimi në Instagram, ku theksoi se nuk ka asnjë plan për t’u rikthyer në politikë në këtë mënyrë.

Ajo e filloi reagimin e saj duke ironizuar raportimet e fundit, duke thënë se emri i saj është përmendur në lidhje me një pozicion në qeveri. “Ka ca ditë që më përflitet emri se do jem pjesë e qeverisë Rama. Ma kanë caktuar pazarin, ma kanë gjetur sponsorin, ma kanë përcaktuar pozicionimin. Jam argëtuar në fillim, e lashë të rridhte. Është një ushtrim durimi,” tha Duma.

Duma shpjegoi se vendosi të reagonte vetëm kur thashethemet morën përmasa të mëdha. Ajo u bëri thirrje atyre që frikësohen nga karrigia

e pushtetit, duke thënë: “Flini të qetë, nuk kam ndërmend t’i marr vendin askujt, sepse po të doja t’i merrja vendin dikujt tani, në këto momente politike, do të ishte keq për Shqipërinë.”

Sa i përket mundësisë së rikthimit në politikë, Duma theksoi se një hap i tillë nuk do të vinte përmes ftesave nga të tjerët. “Nuk më thërret mua njeri në politikë, nuk pres ftesa nga të tjerët. Nëse ndonjë ditë do kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do hyj nga porta ime, nuk do i bie portës së askujt,” tha ajo.

Ajo gjithashtu u ndal te takimet e fundit të zyrtarëve në Pogradec dhe Tiranë, duke theksuar se ndarja mes politikës dhe shqetësimeve të qytetarëve është e dukshme. “Ka ditë që takohen në Pogradec, Tiranë, ministra, drejtues, deputetë. Mendoj se të gjithë shqiptarët e kanë mendjen te porta e tyre, nëse do dalë tym i bardhë në këtë realitet qeverisjeje me re të zeza,” theksoi Duma.

Në përfundim, Duma theksoi se situata aktuale kërkon më shumë se një individ për të sjellë ndryshimin e nevojshëm. “Individi, mrekulli e Zotit qoftë ai individ, nuk e bën dot më i vetëm ndryshimin në këtë situatë. Duhet shumë më tepër sesa një individ për të sjellë atë që shqiptarët presin,” përfundoi ajo.

Nga Rubrika