Me fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri të “Big Brother VIP Kosova”, emrat e mundshëm për panelin e opinionistëve kanë filluar të qarkullojnë në mediat sociale, duke ngjallur interes të madh mes fansave.
Gjatë një lidhjeje direkte në emisionin e mëngjesit në T7, gazetari Elton Tozaj ka diskutuar mbi sezonin e ardhshëm të BBVK-së, duke theksuar se ndryshimet në panelin e opinionistëve janë të mundshme dhe se disa emra janë në listën e mundshme për t’u bashkuar.
Pas njoftimit se Olta Gixhari nuk do të jetë më pjesë e këtij formati, Tozaj përmendi disa emra të tjerë që mund të zënë vendin e saj, përfshirë këngëtaren e njohur, Adelina Ismaili, stilistin Valdrin Sahiti dhe Elijona Binakaj.
Tozaj shprehu dëshirën që të shihte të tre emrat në panelin e opinionistëve, ose të paktën një ish-banor të “Big Brother VIP Kosova”, i cili do të kishte njohuri të thella mbi dinamikat e lojës.
Spekulimet rreth përfshirjes së Adelina Ismailit në këtë format kanë marrë menjëherë vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Megjithatë, këngëtarja ka reaguar shpejt për të sqaruar situatën dhe për të hequr çdo dyshim.
Ajo publikoi një video nga emisioni ku përmendej emri i saj, duke e shoqëruar me një mesazh të qartë: “Nuk do të jem as banore, as opinioniste në BBVK”.
Me këtë deklaratë, Adelina ka përgënjeshtruar kategorikisht çdo mundësi që të jetë pjesë e edicionit të ri, qoftë si banore apo si opinioniste, duke i dhënë fund aludimeve rreth rolit të saj në format.
Tani mbetet të shihet se cilët emra do të përbëjnë panelin dhe kastin e ri të BBVK-së, ndërsa publiku është bërë gjithnjë e më kurioz për ndryshimet që do të sjellë sezoni i ardhshëm. /Telegrafi/
