Erkejda Cupi bën thirrje VIP-ve shqiptarë: “Mos heshtni përballë padrejtësive!”

Influencuesja dhe prezantuesja e njohur, Erkejda Cupi, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, duke i drejtuar një thirrje VIP-ve shqiptarë që të mos heshtin përballë padrejtësive që po ndodhin në vend.

Në postimin e saj, që u shoqërua edhe me një imazh mbresëlënës, Erkejda bën një apel të ndjerë për të gjithë ata që kanë zë publik, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij zëri në shërbim të të vërtetës dhe drejtësisë. Në mesazhin e saj, ajo ngre shqetësimin se heshtja e figurave publike është një lloj bashkëfajësie kur padrejtësitë bëhen normë.

Fotografia e Erkejdes, e realizuar me një stil të veçantë, e përforcon fuqinë e mesazhit të saj, duke shfaqur një skenë të përfaqësuesve të elitës shqiptare të cilët shihet se po shijojnë luksin, ndërsa në sfond, një flamur kombëtar ndriçon nën dritën e muzgut, duke përforcuar kontrastin mes jetës së privilegjuar dhe realitetit me të cilin përballet shumica.

Teksti që shoqëron imazhin është një thirrje për të mos heshtur. “Ju që keni zërin e popullit, mos i ktheni shpinën!”- thekson ajo, duke i kujtuar VIP-ave se suksesin e tyre ia kanë borxh publikut që i ka duartrokitur.

Erkejda nënvizon se kërkohet solidaritet nga elita për çështje thelbësore që po prekin jetën e përditshme në Shqipëri. Ajo përmend çështje si shkatërrimi i mjedisit dhe emigrimi masiv i të rinjve si plagët më të mëdha për momentin.

Me një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë, ajo mbyll postimin duke nënvizuar se “Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e tradhtarëve.” Një mesazh që rezonon fort në kohët kur vendi dhe shoqëria përballen me sfida të mëdha.

Ky postim ka ngjallur reagime të shumta dhe është pritur me entuziazëm nga ndjekësit e saj, të cilët duket se ndajnë të njëjtin shqetësim për heshtjen e fytyrave publike në çështje të tilla urgjente. /InfoKosova/

Erkejda Cupi

Nga Rubrika