Moderatori i njohur Bledi Strakosha ka kaluar një periudhë tejet sfiduese shëndetësore, e cila e mbajti nën kujdesin e mjekëve për 12 ditë të plota. Në emisionin “Rudina”, ai ndau me publikun momentet e vështira që e shoqëruan këtë përvojë, duke filluar nga shfaqja e simptomave deri te diagnoza dhe ndërhyrja kirurgjikale.
Strakosha tregoi se gjithçka nisi një natë kur, rreth orës 11 e gjysmë, ai u ngrit nga divani për të shkuar në kuzhinë. “Më fillon një dhimbje koke si therje, fillimisht në ballë dhe më pas në të gjithë kokën deri në fund të qafës,” tha ai, duke e përshkruar momentin e frikshëm.
Fillimisht, mjekët që e vizituan në shtëpi nuk e konsideruan situatën si urgjente. Megjithatë, pas një dite, ai vendosi të shkonte në spital, ku pas analizave dhe një skaneri me kontrast, u zbulua hemorragjia cerebrale.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai e sheh veten si një njeri me fat që ia doli. “Kjo përvojë është si një jetë e dytë për mua,” shprehet ai, duke reflektuar mbi rëndësinë e kujdesit për shëndetin.
“Brenda ditës të ndryshon jeta plotësisht,” theksoi ai, duke e bërë të qartë se ngjarja e ka bërë të mendojë më shumë për shëndetin e tij.
Strakosha vendosi ta ndajë historinë e tij me publikun për të rritur ndërgjegjësimin mbi neglizhencën ndaj simptomave të pazakonta. “Shpesh mendojmë se do të kalojë duke pirë një paracetamol, por disa simptoma duhet t’i marrim seriozisht,” tha ai, duke theksuar se edhe ai vetë kishte shkuar në spital i nxitur nga motra e tij.
Pasi përjetoi këtë ngjarje, ai shprehu vendosmërinë për të nisur një jetë më të shëndetshme dhe për të hequr dorë nga duhani, një zakon që e ka pasur që prej moshës 18-vjeçare.
