Deputeti Enver Hoxhaj, një figurë e njohur në politikën shqiptare dhe ish-ministër i jashtëm, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të Gjykatës së Hagës, duke e cilësuar atë si një agresion ndërkombëtar ndaj Kosovës.
Hoxhaj theksoi se ky vendim përbën një goditje të rëndë për historinë dhe identitetin e Kosovës. Ai e përshkroi situatën si një moment kritik që kërkon një ristrukturim të plotë të skenës politike në vend.
“Ne duhet ta ripozicionojmë komplet skenën tonë politike, se si t’i qasemi kësaj teme. Kjo është goditja më e madhe. Ky është një agresion ndërkombëtar ndaj shtetit të Kosovës,” tha Hoxhaj, duke iu referuar vendimit të Gjykatës.
Ai gjithashtu përmendi se ky vendim është në vazhdën e agresionit të mëparshëm që ka ndodhur në Banjskë, duke e theksuar se është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës.
“Hapi i parë duhet të jetë që deputetët të nisin t’i mbledhin nënshkrimet dhe të fillojnë procesin e zhbërjes së gjykatës. Unë jam i pari që jam i gatshëm ta jap nënshkrimin,” shtoi ai, duke shprehur gatishmërinë për të vepruar.
Hoxhaj theksoi se vendimi i Hagës ka goditur jo vetëm identitetin e Kosovës, por gjithashtu ka ndikuar negativisht në të tashmen dhe të ardhmen e saj.
“U godit identiteti jonë, u godit edhe e tashmja e Kosovës, por mendoj që u godit edhe lufta jonë për pavarësi,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje të re politike përballë këtyre zhvillimeve.
“Nëse gjykata thotë se udhëheqësit e UÇK-së kanë pasur qëllim kriminal, kjo është një fyerje për popullin e Kosovës. Një vendim i tillë është i papranueshëm dhe duhet të ankimohet,” përfundoi Hoxhaj, duke bërë thirrje për një reagim të bashkuar nga qytetarët e Kosovës.