Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Ramës, pas dënimeve të shpallura ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti e quajti këtë vendim një padrejtësi, ndërsa Rama e përshkroi si një akt të turpshëm.
Christian Wigand, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, theksoi se Dhomat e Specializuara janë të angazhuara për të ofruar drejtësi përmes procedurave gjyqësore që janë të drejta, të paanshme dhe të pavarura.
“Bashkimi Evropian e ka marrë në konsideratë aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të angazhuara për të ofruar drejtësi përmes procedurave të paanshme dhe të pavarura, duke u bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit,” tha Wigand.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e krijimit të një ambienti të sigurt, ku frika dhe hakmarrja nuk kanë vend, dhe ku viktimat dhe dëshmitarët mbrohen me dinjitet.
Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian për Zgjerim, e citoi Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke theksuar se aktgjykimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen dhe se të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë këto vendime.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i pavarur dhe të paanshëm. Aktgjykimet e tyre duhet të respektohen, dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Kjo është e rëndësishme për të siguruar përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë,” tha ai.
Mercier gjithashtu bëri thirrje për ndihmën e aktorëve në rajon në procesin e shërimit të plagëve të së kaluarës, duke theksuar se vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund të tejkalojnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli vendimin e saj të parë, duke dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.
[[M1]]
[[M2]]