Çmimet e naftës po përjetojnë një rritje të ndjeshme, duke shkaktuar shqetësim në xhepat e qytetarëve. Pas heqjes së masës për çmimin maksimal, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është angazhuar të monitorojë situatën në treg, ndërsa ministrja Mimoza Kusari-Lila thekson se faktorët kryesorë janë zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Ministrja Kusari-Lila ka bërë të ditur se nëse rritja e çmimeve vazhdon të ndikojë në furnizimin e tregut vendor, atëherë do të shqyrtohen masa të reja për të mbrojtur konsumatorët.
Ajo shpjegoi se heqja e vendimit për çmimin maksimal u bë për shkak të tejkalimit të afatit të përcaktuar në udhëzimin administrativ, i cili ishte 90 ditë, ndërsa vendimi ishte në fuqi për 150 ditë, duke pasur parasysh rëndësinë e tij.
“Arsyeja e heqjes së vendimit për caktimin e çmimit maksimal ka qenë tejkalimi i afatit në udhëzimin administrativ që e përcakton vendosjen e çmimit maksimal, afat ky i cili ka qenë 90 ditë, ndërsa ne kemi përcaktuar çmimin maksimal për 150 ditë, duke e parë rëndësinë edhe peshën e këtij vendimi”, tha ministrja.
Sipas saj, rritja e çmimeve është e lidhur ngushtë me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, dhe jo me ndryshimet në tregun e brendshëm të Kosovës.
“Rritja e çmimit nuk ka ndodhur si rrjedhojë e heqjes së vendosjes ose përcaktimit të çmimit maksimal, por ka ardhur si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, sulmeve të vazhdueshme. Me një situatë të tillë po përballen tashmë të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian edhe më gjerë”, u shpreh Kusari-Lila.
Ministria është duke e monitoruar situatën çdo ditë, duke mbajtur një vështrim të afërt mbi çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të saj.
“Ne jemi duke e përcjellë për së afërmi çdo ditë edhe çmimet, shitjet me shumicë dhe me shitjet me pakicë të naftës dhe derivateve të saj. Gjithashtu, jemi duke marrë raportin çdo 24 orë nga Dogana e Kosovës me sasinë e importit dhe me çmimin e importit dhe sasisë së secilës kompani që vepron. Prandaj kemi mundësinë të shohim secila kompani se sa ka marzhën ose sa mbi çmimin e importuar ka rritur e shet në fakt çmimin me pakicë dhe më duhet të them se nuk ka shumë dallim apo nuk ka dallim fare për arsye se tash ka çmime të ndryshme në treg midis asaj çfarë ne do ta kishim përcaktuar dhe asaj çfarë shesin kompanitë. Por gjithsesi se për së afërmi jemi duke e parë nëse ka hapësirë për ndërmarrje të një mase shtesë”, tha ajo për Ekonomia Online.
Ministrja nënvizoi se kriza në furnizim po vjen si pasojë e destabilizimit në vendet prodhuese, duke theksuar se situata nuk është rezultat i ndryshimeve në tregun e brendshëm.
“Megjithatë më duhet ta ritheksoj se situata nuk po vjen si rrjedhojë e ndryshimeve në tregun e brendshëm, por si rrjedhojë e përkeqësimit tek vendet e furnizimit, në këtë rast Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, të cilat po ballafaqohen tashmë me sulme të vazhdueshme dhe me ndërprerje të furnizimit me naftën dhe derivatët e saj”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila përmendi mundësinë e kufizimit të sasisë, duke marrë shembull vendet e rajonit, duke theksuar se ka dy forma për të reaguar ndaj situatës.
“Po ne mund të shqyrtojmë, ka dy forma. Ka forma nëse ka përcaktim të çmimit mund të ketë përcaktim të kufizimit të sasisë për shkak se në rastin kur ka ndikim të shtetit siç ka ndodhur në vendet e tjera, për shembull në Slloveni, atëherë është kufizuar sasia. Aktualisht me sasitë e importuara dhe sasitë e shitura ende nuk ka lëvizje, do të thotë ende po vazhdohet të shitet në sasinë e njëjtë, përkundër që çmimi është duke u rritur. Nëse ka ndikim të drejtpërdrejtë të çmimit në uljen e sasisë së furnizimit apo edhe në përkeqësim të krizës, pastaj po, duhet të ketë një shqyrtim nga ana jonë siç edhe i kam masat e ndërmarra, por në cilindo rast e vetmja zgjidhje ose zgjidhja më e qëndrueshme edhe ajo të cilën shpresojmë ta shohim është stabilizimi me furnizim, më shumë se sa ndërmarrja e masave. Në të gjitha veprimet e tjera ndërmarrja e masave do të ketë kosto. Do të thotë qoftë ajo nëse ka ndërhyrje nga Qeveria apo edhe ajo nëse ka kufizim të furnizimit me sasi”, tha ajo.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 4 shtator 2026 e ka ndaluar përcaktimin e çmimit maksimal për derivatet. Prej 4 shtatorit, çmimi i naftës dhe benzinës është caktuar prej vetë tregut.
Mimoza Kusari-Lila, pati thënë se baza ligjore përcakton që çmimi maksimal mund të vendoset nga Ministria për 90 ditë, ndërsa Ministria e ka zgjatur deri në 150 ditë.
Në fillim të marsit, MINTI pati caktuar çmimet tavan pas shtrenjtimeve si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Marzha tregtare maksimale e lejuar në shitjen me shumicë qe 2 centë për litër, ndërsa me pakicë 12 centë për litër./EO/