Inteligjenca artificiale po përjeton një zhvillim të shpejtë, duke ngjallur debate të shumta për pasojat e mundshme që mund të sjellë për njerëzimin.
Një nga pyetjet më të rëndësishme që po diskutohet është nëse njerëzimi do të arrijë ndonjëherë të humbasë kontrollin mbi këtë teknologji të avancuar.
Darsej Rizaj, bashkëthemelues dhe ekspert i teknologjisë në Shkollën Digjitale në Prishtinë, thekson se rreziku që sjell evolucioni i inteligjencës artificiale është më i madh se ai i bombës atomike, një shpikje që ka ndryshuar historinë e njerëzimit.
“Ne po eksperimentojmë me diçka që ende nuk e kuptojmë plotësisht,” shprehet Rizaj në një intervistë për podkastin “5 pyetje” të Radios Evropa e Lirë.
Rizaj thekson se rreziku lidhet me mundësinë që inteligjenca artificiale të arrijë një nivel autonomi, ku mund të veprojë pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga njeriu.
A mund t’i vrasë inteligjenca artificiale njerëzit?
Ai shpjegon se një skenar i tillë nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht se inteligjenca artificiale do të kishte qëllim për të shkatërruar njerëzimin, por mund të ndodhte për shkak të keqkuptimeve të instruksioneve nga ana e njeriut.
“Faktori njeri mund të japë një urdhër që inteligjenca artificiale e interpreton gabimisht, duke rezultuar në veprime të papritura,” thotë ai.
Rizaj paralajmëron se rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale janë të shumta dhe disa prej tyre janë të vështira për t’u parashikuar, duke përfshirë ndikimet në klimë dhe motin.
“Imagjinoni se si do të ishte nëse ne do të mund të kontrollonim motin përmes inteligjencës artificiale, duke krijuar kushte ideale për jetesën në planetin tonë,” thotë ai si një shembull të mundësive dhe rreziqeve të kësaj teknologjie.
Rreziku nga keqpërdorimi
Përveç skenarëve afatgjatë, Rizaj thekson se disa rreziqe janë tashmë të pranishme, sidomos në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Ai paralajmëron se informacionet që njerëzit kanë publikuar në internet mund të shfrytëzohen për të trajnuar sisteme të inteligjencës artificiale, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe asaj që është krijuar artificialisht.
“Ne po arrijmë në një pikë ku do të jetë e vështirë të kuptojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e manipuluar,” thotë Rizaj.
Kjo situatë mund të çojë në shantazh, dëmtim të reputacionit dhe krijimin e materialeve të rreme, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe privatësinë.
“Kosova është mbrapa”
Sa i përket Kosovës, Rizaj shpreh shqetësimin se inteligjenca artificiale nuk është diskutuar mjaftueshëm në nivel institucional.
“Ne jemi mbrapa si vend,” thotë ai, duke theksuar se vendet e tjera të Ballkanit kanë filluar të investojnë në qendra të të dhënave dhe kanë më shumë iniciativa strategjike.
Rizaj thekson se është e rëndësishme që Kosova të mendojë për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në tregun e punës dhe të edukojë qytetarët për këtë teknologji.
“Për të kuptuar se si të mbrohemi, duhet të dimë si funksionon inteligjenca artificiale,” përfundon ai, duke theksuar rëndësinë e edukimit në këtë fushë.
Rizaj këshillon që individët të mësojnë të përdorin inteligjencën artificiale, por gjithashtu të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale, veçanërisht ato të fëmijëve.