Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të ketë bllokime të rëndësishme të qarkullimit në disa rrugë kryesore në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, për shkak të zhvillimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.
Ky eveniment i rëndësishëm sportiv do të ndodhi nga ora 09:00 deri në përfundim të garës, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te lidhja me autostradën “Ibrahim Rugova”.
Kufizime të ngjashme do të prekin edhe segmente të tjera rrugore, duke përfshirë disa pjesë të autostradës, të cilat do të jenë të mbyllura për automjetet gjatë zhvillimit të maratonës.
Për të lehtësuar situatën dhe për të shmangur vështirësitë në komunikacion, Policia ka përcaktuar disa rrugë alternative për ngasësit.
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja drejt Prishtinës janë të udhëzuar të përdorin rrugët përmes Sllatinës, Magurës dhe Lipjanit. Ndërsa ata që udhëtojnë nga Peja e Fushë-Kosovë, mund të kalojnë përmes Sllatinës, Bardhit të Vogël dhe Kuzminit.
Për ata që udhëtojnë nga Prishtina ose Veterniku në drejtim të Pejës dhe Aeroportit, rekomandohet itinerari Prishtinë-Lipjan-Rufc i Ri-Poturoc-Magurë-Aeroport.
Për ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica në drejtim të Pejës ose Aeroportit, Policia sugjeron përdorimin e autostradës nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, e më pas rrugën përmes Lipjanit, Rufcit të Ri, Poturocit dhe Magurës.
“Transporti publik (autobusët) në relacionin Prishtinë – Fushë-Kosovë -Aeroport dhe në drejtim të Pejës, nuk do të qarkullojnë në këtë rrugë gjatë kohës së garës, por do të përdorin rrugët alternative të përmendura më sipër”, thuhet në njoftim./EO