Paskal Milo, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka ndarë detaje intriguese mbi rolin e tij në procesin e Rambujesë, duke zbuluar se si komunikimet me ish-ambasadorin amerikan Christopher Hill ndihmuan në nënshkrimin e marrëveshjes nga delegacioni i Kosovës.
Gjatë një intervistë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, Milo theksoi rëndësinë e kontakteve të tij të shpeshta me Hillin, duke përfshirë telefonata dhe diskutime të vazhdueshme për qëndrimin e Qeverisë shqiptare në atë periudhë të tensionuar.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Hillin dhe ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, ishte thelbësor për të bindur delegacionin e Kosovës që të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, një moment kyç në historinë e rajonit.
“Kam pasur shumë kontakte me ambasadorin Hill, shumë telefonata dhe shumë diskutime. Unë isha ministër i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë dhe përfaqësues i Shqipërisë në Rambuje. Ambasadori Hill më merrte shpesh në telefon për të dëgjuar mendimet e Qeverisë shqiptare,” shpjegoi Milo.
Ai përshkroi një moment të veçantë kur u thirr me urgjencë për të udhëtuar drejt Rambujesë, një kërkesë e bërë nga Hill dhe Albright, për të ndihmuar në bindjen e delegacionit shqiptar.
“Më kanë marrë me urgjencë dhe, me këmbënguljen e tij dhe të zonjës Albright, unë shkova në Rambuje për të ndihmuar delegacionin amerikan që t’ia mbushte mendjen delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht zotit Thaçi, për ta nënshkruar marrëveshjen,” deklaroi ai.
Milo shprehu pritshmëritë e tij se, duke pasur parasysh bashkëpunimin e ngushtë me Hillin, ish-diplomati amerikan do të fliste më hapur për ato zhvillime sot.
“Prandaj, zoti Hill, nuk e di nëse na pa apo jo. Të paktën duhet ta kishte kujtuar, si diplomat, bashkëpunimin tonë të dobishëm dhe bisedat e shumta që kemi zhvilluar,” përfundoi Milo, duke shpresuar për një reflektim më të hapur nga ana e Hillit pas tërheqjes së tij nga shërbimi aktiv diplomatik.