Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka rikthyer vëmendjen ndaj politikave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar atë për forcimin e lidhjeve me Pekinin dhe Moskën, si dhe për sjelljen e teknologjisë kineze në Evropë.
Pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Wilson shprehu shqetësimet e tij lidhur me sigurinë energjetike dhe kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Kina. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve aleate për të adresuar këto sfida.
“Takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar rreziqet që paraqesin Rusia dhe Kina. Regjimi i Vuçiqit po sjell teknologjinë e Partisë Komuniste të Kinës në Evropë, duke rrezikuar lirinë tonë,” tha Wilson.
Kjo kritikë e fundit nuk është një rast i izoluar. Kongresmeni amerikan ka shprehur shqetësime të ngjashme edhe më herët, duke e akuzuar Vuçiqin për politikën e tij pro-kineze dhe pro-ruse.
Një nga momentet më të diskutueshme ishte kur Wilson reagoi ndaj mundësisë që Serbia të organizonte një funeral shtetëror për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, i dënuar për krime lufte.
“Është e papranueshme që Vuçiq planifikon t’i japë nderime shtetërore një krimineli të luftës si Mlladiq. Kjo është si të nderosh Adolf Hitlerin në Gjermani,” theksoi ai në një deklaratë të mëparshme.
Wilson ka ndërmarrë gjithashtu hapa në Kongresin amerikan për të rritur presionin ndaj autoriteteve serbe, duke propozuar një projektligj të titulluar “Serbia”, që synon të adresojë këto shqetësime në mënyrë më të drejtpërdrejtë.
Me këto veprime, Wilson dëshiron të nxisë një diskutim më të gjerë mbi ndikimin e huaj në Ballkan dhe të inkurajojë aleatët për të qëndruar vigjilentë ndaj kërcënimeve që vijnë nga regjimet autoritare.