Reforma e drejtësisë: Ligji për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme në Kuvendin e Kosovës

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Ky projektligj, i cili ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias dhe është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Pas këtyre proceseve, ai është rihapur për konsultim publik, duke marrë parasysh komentet e shoqërisë civile.

“Një lajm i shkëlqyer është se po dërgojmë në Kuvend ligjin për Byronë. Ky ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta që nga mandati i kaluar dhe është dërguar përsëri në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar duhet parë si rezultat i një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm,” tha Gërvalla.

Iniciativa për krijimin e këtij mekanizmi daton që nga viti 2020 dhe është pjesë e përpjekjeve për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Gërvalla theksoi se qëllimi është të ofrohet një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ka mospërputhje të dukshme ndërmjet pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të ardhurave të tyre ligjore.

“Ky ligj është një mundësi për të adresuar situatat kur mekanizmat ekzistues të ndjekjes penale nuk janë të mjaftueshëm për të mundësuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme,” theksoi ministrja.

Gërvalla theksoi rëndësinë e ruajtjes së balancës midis interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale. Ajo shpjegoi se ky mekanizëm është i ndjeshëm dhe kërkon një qasje të kujdesshme.

Ministrja sqaroi se Byroja, sipas projektligjit, nuk do të ketë kompetencë për të konfiskuar pasuri, pasi vendimi përfundimtar do të merret nga gjykata. “Ky ligj parashikon një procedurë civile, ku Byroja ka një rol përgatitor dhe analitik,” tha ajo.

Gërvalla përfundoi duke theksuar se qytetarët e presin këtë ligj për të adresuar pasurinë e pajustifikueshme dhe për të luftuar korrupsionin. “Kosova nuk mund ta tolerojë pasurinë e pajustifikueshme që të bëhet normë,” përfundoi ajo.

Nga Rubrika