Heidi Baci: Rrugëtimi nga farmaceutika në famën e papritur

Emisioni i ri “Tech Talk”, i moderuar nga Kristi Gongo dhe Kushtrim Shala, shënoi debutimin e tij këtë të martë në ekranin e Top Channel, duke sjellë një bisedë të veçantë me Heidi Baci.

Heidi Baci, e njohur si moderatorja e “Për’puthen” dhe ish-finalistja e BBVA 3, ndau me publikun historinë e saj intriguese. Ajo tregoi se si pasioni i saj për farmaceutikën u ndërpre nga ngjarjet e papritura që solli pandemia globale e COVID-19, duke e çuar atë drejt një karriere të re në botën e mediave.

Fillimisht, Baci kishte vendosur të ndiqte studimet në fushën e mjekësisë, veçanërisht në farmaci. Por, siç tregoi ajo, planet e saj u ndryshuan drastikisht pas shpërthimit të pandemisë në vitin 2021, kur kishte përfunduar vetëm trevjeçarin e parë të studimeve.

“Dëshira ime ishte të bëhesha farmaciste, por jeta më drejtoi në një tjetër rrugë. Pas mbylljes së trevjeçarit të parë, pandemia e COVID-it e ndaloi atë ëndërr. Megjithatë, mund të kisha vazhduar si biologe, duke studiuar kiminë dhe analizat. Kisha mësuar edhe si të hapja e të mbyllja leprovetën me një dorë, por vendosa të mos e vazhdoja më,” tha ajo, duke shpjeguar vështirësitë e asaj periudhe.

Heidi theksoi se në Itali, gjatë asaj kohe, ishte e pamundur të hyje në asnjë vend pa bërë testin e COVID-it, gjë që e bëri të mendojë për një ndryshim në karrierë. Ajo e pranoi se ky ishte një moment vendimtar në jetën e saj, që e çoi drejt mediave dhe njohjes publike.

Gjatë bisedës, Baci gjithashtu ndau mendimet e saj mbi marrëdhënien me ndjekësit në rrjetet sociale. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetje, duke theksuar se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërtimin e karrierës së saj.

“Ndjekësit e mi janë shumë të lidhur me mua. Kur mendoj për këtë marrëdhënie, kuptoj se nuk e di se ku do të isha pa ta. Ata janë forca ime më e madhe dhe e shijoj shumë këtë raport,” tha ajo, duke theksuar rëndësinë e audiencës në jetën e saj profesionale.

“E kam vendosur veten në një situatë ku flitet për mua, ndaj kritikat nuk më shqetësojnë. Dashuria e audiencës sime do të fitonte gjithmonë. Prandaj, nuk e kam problem as kur kritikohem, sepse ata më ndërtuan një karrierë,” përfundoi Baci, duke lënë të kuptohet se mbështetja e ndjekësve është çelësi i suksesit të saj.

Nga Rubrika