Elena Kocaqi, historiania dhe pedagoge e njohur, ka shprehur mendimet e saj të forta mbi politikën shqiptare në emisionin “S’e Luan Topi”, të moderuar nga Erjona Rusi. Ajo ka ndarë me publikun jo vetëm përvojat e saj personale, por edhe kritikat ndaj sistemit politik aktual, duke theksuar se është zhgënjimi më i madh i jetës së saj.
Gjatë bisedës, Kocaqi e përmendi emrin e Presidentit të ri, Bajram Begaj, i cili u zgjodh më 24 korrik 2022. Ajo e përshkroi atë si një njeri të urtë, duke sugjeruar se Rama e kishte zgjedhur atë për të shmangur një përballje më të ashpër me një grua në postin e Presidentes.
“Njerëzit më njohin si historiane, por unë kam përvojë në qeverisje dhe drejtësi. Në atë kohë, u vendos që Bajram Begaj të ishte president, sepse Rama nuk donte një grua në këtë pozita”, tha ajo, duke theksuar se nuk do të rrijë urtë përballë sfidave që përballen shqiptarët.
Kocaqi shprehu gjithashtu shqetësimin se Shqipëria nuk është ende e gatshme për të pranuar një grua në postin e Presidentes, duke e cilësuar shoqërinë shqiptare si maskiliste. Ajo theksoi se gratë janë po aq punëtore sa burrat, madje më shumë, duke u kujdesur për fëmijët dhe familjet.
Politika shqiptare, sipas Kocaqit, është e ngarkuar me probleme serioze. Ajo kritikoi mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet dhe fushatat elektorale, duke i cilësuar ato si një shfaqje që nuk i shërben interesave të popullit. “Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të vërteta. Duket si një diktaturë, ku zgjedhjet fitojnë ata që dinë të këndojnë dhe të kërcenin,” tha ajo.
Elena Kocaqi, e pyetur nëse do të pranojë një ftesë për t’u angazhuar politikisht, shprehu dyshime të forta. Ajo theksoi se aktualisht nuk do të merrte një hap të tillë, duke kërkuar një sistem më të mirë, si ai i Kosovës, për të qenë e gatshme të kontribuonte në politikë.
“Nëse do të ishte një sistem ku populli do të kishte vërtetë fuqi, ndoshta do të mendohesha ndryshe. Por ajo që kam parë në fushatën e fundit ishte skandaloze,” vazhdoi ajo, duke shprehur habinë për mënyrën se si njerëzit votojnë në Shqipëri.
Historiania përfundoi duke treguar se fëmijët e saj janë të lumtur që ajo nuk është përfshirë në politikë. “Edhe fëmijët e mi më thonë se janë të lumtur që je në shtëpi dhe nuk je angazhuar në politikë,” përfundoi Kocaqi.