Blerina Matraku kërkon falje publike pas videos së diskutueshme: “Më vjen keq për Klaudias dhe vajzat”

Këngëtarja Blerina Matraku ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me videon e fundit që ka qarkulluar, ku shfaqet me kompozitorin Adrian Hila. Ajo ka pranuar se është një nga personat në material dhe ka vendosur të marrë përgjegjësinë për veprimet e saj.

Ajo ka shprehur keqardhje për situatën, duke theksuar se publikimi i këtyre pamjeve ka cenuar privatësinë e saj. Matraku ka zgjedhur të mos e mohojë asnjë moment të ndodhur, por përkundrazi, të pranojë përgjegjësinë e plotë.

“Sot nuk dua të mbrohem, dua të kërkoj falje. I drejtohem së pari publikut, çdo individi që është tronditur, lënduar apo ndjerë i prekur nga kjo situatë”, shkruan këngëtarja.

Me një ton të sinqertë, ajo kërkon që të kuptohet se pas kësaj situate ndodhet një njeri i zakonshëm, i cili po përballet me pasojat e veprimeve të tij. Matraku shpreh dëshirën që të shihet edhe ana njerëzore e historisë, përtej pamjeve që kanë qarkulluar.

“Nuk jam këtu për të justifikuar, jam këtu për të marrë përgjegjësinë time”, vijon ajo.

Ajo ka bërë një apel të veçantë për Klaudias, bashkëshorten e Adrian Hilës, si dhe për vajzat e çiftit, duke kërkuar falje për çdo dhimbje që mund të kenë përjetuar si pasojë e situatës.

“I kërkoj ndjesë Klaudias dhe vajzave të saj, për çdo lot apo dhimbje të shkaktuar”, shkruan Matraku.

Matraku gjithashtu flet për besimin që ajo kishte ndarë gjatë momentet private, duke shprehur habinë se si ato pamje kanë dalë në publik. Ajo thekson se ndjehet e cenuar në mënyrë të papranueshme.

“Pavarësisht se më është cenuar në formën më çnjerëzore të mundshme privatësia ime, marr përgjegjësinë e veprimeve të mia”, shprehet ajo.

Në një moment reflektimi, këngëtarja përshkruan vështirësitë e saj personale dhe përpjekjet për të mbajtur një profil të ulët publik. Ajo shpreh dëshirën për të mbrojtur privatësinë e saj dhe të tjerëve.

Në përfundim, Matraku bën një apel të fortë për publikun, duke kërkuar ndihmën e tyre për të ndaluar shpërndarjen e videos. Ajo kërkon respekt për dhimbjen e saj dhe të tjerëve të prekur nga kjo situatë.

“Sot ju lutem publikisht: ‘Mjaft’. Mos shpërndani më… Gabimi kërkon përgjegjësi, të cilën po e marr mbi supe. Dhimbja kërkon respekt. Mjaft, ju lutem. Jam njeri, që më është cenuar privatësia”, përfundon Blerina Matraku.

Reagimi i saj është një nga rastet e pakta ku një person i njohur pranon publikisht rolin e tij në një situatë të tillë dhe kërkon ndihmën e publikut për të ndaluar shpërndarjen e materialeve të papërshtatshme.

Nga Rubrika