Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një analizë të thellë pas barazimit 1 me 1 ndaj Austrisë, duke theksuar se ekipi ynë ka treguar potencial të lartë, por fatin e ka pasur kundërshtari. Ai kërkon më shumë përkushtim dhe vetëbesim nga lojtarët për ndeshjet e ardhshme.
Pas ndeshjes, Kurti u shpreh se Kosova ka luajtur më mirë, megjithatë, rezultati nuk e pasqyron plotësisht performancën e ekipit. Ai theksoi se Austria kishte fatin në këtë përballje, ndërsa futbollistët tanë treguan një angazhim të jashtëzakonshëm.
“Kosova luajti më mirë se Austria. Austria pati më shumë fat se Kosova. Barazimi 1:1 nuk pasqyroi çfarë pamë. Futbollistët tanë shkëlqyen si ekip me përkushtim. Duket që janë duke u bërë gjithnjë e më të mirë dhe potenciali në vijim është më i madh sesa niveli që kemi tani”, tha Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se ekipi kishte disa mundësi për të shënuar, duke përmendur se pati së paku tri shanse të tjera për gol që mund të kishin ndryshuar rezultatin. Këto raste, sipas tij, tregojnë se ekipi ka nevojë për më shumë vëmendje dhe vetëbesim.
“Mbase 16-metërshi i kundërshtarit, përkatësisht realizimi ynë, do edhe pak më shumë vëmendje e vetëbesim drejt dy ndeshjeve të ardhshme në muajin nëntor, me Izraelin dhe Irlandën”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Me këtë analizë, ai inkurajoi lojtarët që të përgatiten më mirë për sfidat e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e çdo ndeshjeje në kuadër të “Ligës së Kombeve”.
Kurti beson se me përmirësim të vazhdueshëm, Kosova mund të arrijë rezultate më të mira dhe të tregojë se është një ekip konkurrues në arenën ndërkombëtare.