Agron Llakaj, një nga emrat më të njohur të humorit shqiptar, ka reaguar pas kritikave të shumta që kanë shpërthyer në rrjetet sociale për një nga skenat e fundit në emisionin ‘Portokalli’. Në këtë skenë, u satirizuan disa personazhe që morën pjesë në protestën e qytetarëve kundër klasës politike, duke shkaktuar një valë reagimesh negative.
Në një intervistë për Top Channel, aktori sqaroi se qëllimi i skeçit nuk ishte të ironizonte protestën, por të pasqyronte situata dhe personazhe që u bënë virale gjatë protestës. Ai theksoi se satira kishte për qëllim të reflektonte realitetin dhe jo të ofendonte ata që protestonin.
“Personazhet që ne paraqitëm në ‘Portokalli’ janë ata që u bënë meme në protestë. Kishim për qëllim të sillnim në vëmendje abuzimet që ndodhën gjatë protestës, duke sjellë situata qesharake. Kjo ishte e gjitha, nuk kishte asnjë qëllim tjetër,” shprehet Llakaj.
Ai gjithashtu kundërshtoi akuzat se me humorin e tij kishte fyer protestën dhe ata që morën pjesë, duke theksuar se arti i humorit është një mjet për të reflektuar mbi shoqërinë dhe situatat e saj.
“Ne nuk fyejmë askënd, as protestën dhe as ata që e përfaqësojnë. Jemi artistë të humorit dhe synojmë të sjellim mesazhe përmes humorit,” tha ai.
Llakaj theksoi se satira e ‘Portokalli’ ka një traditë të gjatë në trajtimin e zhvillimeve politike dhe sociale në Shqipëri, duke përfshirë kritika ndaj të dyja palëve politike.
“Ne pasqyrojmë jetën tonë, Shqipërinë, dhe fenomenet politike e sociale sipas këndvështrimit tonë. Kemi qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës dhe Sali Berishës,” theksoi ai.
Në përfundim, aktori iu bëri thirrje kritikëve të shohin skenën në kontekstin e humorit dhe satirës, duke i inkurajuar ata të pranojnë një qasje më të lehtë ndaj jetës.
“Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës,” përfundoi Llakaj.