Një vit pas humbjes tragjike të Shpat Kasapit, bashkëshortja e tij, Selvija Jao, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke përkujtuar dashurinë e tyre dhe djalin e tyre të vogël, Roelin.
Me një sërë fotografish të ngrohta që e tregojnë Shpatin pranë djalit, Selvija shpreh dhimbjen e thellë dhe mallin që e ndjen çdo ditë për mungesën e tij në jetën e vogëlushit.
“Nuk ka ditë që të mos pyes veten si do të ndihej Shpati po ta shihte Roelin sot. Sa krenar do të ishte për çdo fjalë, hap e arritje të tij… por nuk ndryshohet dot caktimi i të Madhit Allah!”, ka shkruar ajo, duke reflektuar mbi humbjen e madhe që ka përjetuar.
Selvija thekson gjithashtu përkushtimin e saj për të ruajtur kujtimin e babait në mendjen e djalit të saj, duke e bërë atë pjesë të historisë së tij.
“Më dhemb shpirti që Roeli do të rritet pa babain që nuk kalon asnjë ditë pa mos e kërkuar… por unë do ta mbaj Shpatin gjallë në çdo kujtim e histori që do t’i tregoj. Do t’i flas për dashurinë e madhe dhe krenarinë që Shpati do të kishte për të”, ka shprehur ajo me emocione të thella.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Selvija shpreh besimin se dashuria për Shpatin do të mbetet e përjetshme dhe se ai vazhdon t’i vështrojë nga lart.
“Dua të besoj se, sa herë Roeli buzëqesh, Shpati buzëqesh bashkë me të… diku atje lart. Dashuria për të nuk do të zbehet kurrë; do të jetojë në zemrën e Roelit, në çdo ëndërr, buzëqeshje dhe hap të tij”.
