Një deklaratë e papritur nga tenori Armaldo Kllogjeri, i njohur si Maestro, ka shkaktuar një valë diskutimesh në rrjetet sociale.
Përmes një postimi të gjatë në Instagram, ai ka zbuluar se ka marrë një ftesë për të qenë pjesë e një spektakli televiziv që do të transmetohet të premten, por fjalët e tij sugjerojnë se pas kësaj ftesë fshihet një histori e komplikuar.
“E kam bërë show-n tim me pasion dhe sinqeritet, duke shpresuar se do të argëtoja publikun,” shkruan ai, duke theksuar se nuk është vlerësuar siç e meritonte.
Maestro shkon më tej, duke pretenduar se është larguar nga loja në mënyrë të padrejtë dhe se pasojat e kësaj situate vazhdojnë ta ndjekin edhe sot.
“U nxorra nga loja si një ‘limon i shtrydhur’,” shprehet ai, duke shfaqur ndjenjat e tij të tradhtisë dhe zhgënjimit.
Edhe pse nuk përmend emra konkretë, koha e publikimit të deklaratës ka ngritur dyshime se ajo mund të lidhet me emisionin “Live me Luizin”, i cili drejtohet nga Luiz Ejlli në Top Channel.
Kjo situatë bëhet edhe më intriguese për shkak të marrëdhënies së komplikuar mes dy ish-banorëve të “Big Brother VIP Albania 2”.
Luizi dhe Maestro kishin një miqësi të ngushtë brenda shtëpisë, por ajo u shndërrua në rivalitet pas eliminimit të Maestro, i cili e ndjeu se Luizi e kishte tradhtuar duke e çuar në nominim.
Pas daljes nga shtëpia, marrëdhënia e tyre nuk është përmirësuar. Gjatë provave të “Dancing With the Stars” në tetor 2023, Maestro reagoi ashpër kur iu përmend Luizi, duke theksuar se nuk fliste më me të.
Megjithatë, deklarata e tij e fundit ka sjellë një tjetër diskutim. Në komentet e postimit, ndjekësit e kujtojnë se pas përfundimit të “Big Brother VIP”, ai ka vazhduar të angazhohet në Top Channel.
Pas daljes nga shtëpia, Armaldo mori pjesë në “Dancing With the Stars” dhe u bë moderator i një rubrike muzikore në emisionin “E Diell”.
Këto angazhime kanë bërë që disa ndjekës të vënë në pikëpyetje pretendimin e tij për mosvlerësim nga televizioni.
Në përfundim, Maestro thekson se për të, më e rëndësishme se gjithçka është respekti ndaj vetes, duke shprehur se nuk ndihet në gjendje të bëjë spektakël në situatën aktuale në Shqipëri.
Mbetet e paqartë nëse ftesa që ai përmend lidhet me emisionin e Luiz Ejllit apo me një tjetër projekt televiziv, pasi vetë tenori nuk ka dhënë detaje të tjera.
