Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se Serbia nuk mund të pretendojë për paqe kur zyrtarët e saj sfidojnë hapur sovranitetin e Kosovës.
Konjufca, në një postim në rrjetin social “X”, ka përmendur një deklaratë të zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, i cili gjatë një tubimi zgjedhor tha se flamuri serb do të valëvitet në Prizren, një qytet me rëndësi historike për shqiptarët.
“Ambiciet territoriale të Serbisë janë shfaqur sërish këtë javë, kur Daçiqi tha se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren. Kjo retorikë tregon se Beogradi nuk e ka lënë pas këtë çështje. Vetëm dy ditë më vonë, Milan Radoiçiq, i kërkuar nga Interpoli për sulmin terrorist në Banjskë, u pa në një tubim të partisë së Vuçiqit, duke kërcënuar sërish pavarësinë e Kosovës”, shkruan Konjufca.
Ministri thekson se këto veprime nuk janë thjesht provokime, por tregojnë vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike nga ana e Beogradit.
“Këto janë shenja të një doktrine të rrezikshme: ekspansionizmi territorial dhe pandëshkueshmëria për agresionin e armatosur. Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, kur zyrtarët e saj sfidojnë sovranitetin e Kosovës dhe kur Radoiçiqi, organizatori i sulmit terrorist, është ende i lirë”, thekson ai.
Konjufca ka bërë thirrje për reagim nga komuniteti ndërkombëtar, duke kërkuar që këto veprime të dënohen dhe të kërkohet llogaridhënie.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë dhe të dënojë këto veprime. Sovraniteti i Kosovës nuk është i negociueshëm, ashtu si drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, përfundon Konjufca.