Përplasja mes Amarildo Bakajt dhe Drilon Ramës ka arritur një pikë kulmore, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë adhuruesve të boksit.
Pas një serie deklaratash të ashpra, tensionet mes dy boksierëve janë rritur ndjeshëm, duke çuar në një provokim të ri nga ana e Amarildos.
Amarildo ka publikuar një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku ai shfaqet në një fron mbretëror, ndërsa Driloni paraqitet në gjunjë me një zinxhir rreth qafës. Ky imazh, i shoqëruar me një mesazh sfidues, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.
“A mendoni se Amarildo Bakaj ka frikë?”, ka shkruar ai, duke sugjeruar se Driloni është i motivuar nga dëshira për të fituar famë përmes kësaj përballjeje.
Megjithatë, përtej provokimeve, Amarildo ka shprehur gatishmërinë për të pranuar sfidën për një ndeshje boksi, por me disa kushte të qarta që duhet të respektohen.
Ai kërkon që ndeshja të jetë një ngjarje e mirëfilltë profesionale, e regjistruar zyrtarisht pranë federatave përkatëse, dhe jo thjesht një spektakël argëtues.
Kushti më intriguese është ai financiar: Amarildo kërkon që fituesi të marrë të gjithë shumën e parave të përcaktuar për ndeshjen, ndërsa humbësi të largohet pa asnjë euro.
Kjo përplasje ka filluar muaj më parë, por tensionet janë intensifikuar pas një intervistë ekskluzive të Drilonit, ku ai diskutoi raportin e tij me Amarildon dhe mesazhet që pretendon se ka marrë prej tij.
Për më tepër, vetëm një ditë më parë, dyshja shkëmbeu akuza të rënda në rrjetet sociale, me Drilonin që vuri në dyshim karrierën sportive të Amarildos, ndërsa ky i fundit iu përgjigj me deklarata të ashpra personale.
Tani, me pranimin publik të sfidës dhe kushtet e vendosura nga Bakaj, mbetet për t’u parë nëse Driloni do t’i pranojë ato dhe nëse kjo përplasje do të realizohet në ring.
Deri tani, nuk ka një datë apo marrëveshje zyrtare për organizimin e ndeshjes.