ATK-ja ndryshon qasje: Më shumë këshilla, më pak ndëshkime për bizneset

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka bërë të ditur se ndëshkimet ndaj bizneseve kanë pësuar një rënie prej rreth 7 deri në 8 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Hyseni, në një intervistë për KosovaPress, theksoi se ATK-ja ka përqendruar përpjekjet e saj në ofrimin e këshillave më të mira për bizneset, duke ulur ndëshkimet për shkeljet e ligjit.

“Si qytetar, ndëshkimet më duken si një barrë e panevojshme që e heq nga ekonomia familjare. Edhe unë kam paguar dënime, dhe mendoj se është e rëndësishme që bizneset të jenë të vetëdijshme për rregullat. ATK-ja ofron shumë shpjegime, prandaj është e rëndësishme të mos neglizhojnë,” tha Hyseni.

Ai theksoi se ndonëse ndëshkimet janë zvogëluar, aktivitetet e tjera të ATK-së janë rritur, duke reflektuar një qasje më proaktive ndaj biznesve.

Kur u pyet për korrupsionin brenda ATK-së, Hyseni pranoi se institucioni nuk është imun ndaj akuzave, por theksoi se nuk mund të flitet për korrupsion të provuar pa vendime përfundimtare nga gjykatat.

Aktualisht, rreth pesë zyrtarë janë të suspenduar për shkak të dyshimeve dhe hetimeve, por Hyseni theksoi se është e rëndësishme të pritet vendimi i gjykatës për të vlerësuar situatën.

Sa i përket presionit politik mbi ATK-në, Hyseni e përshkroi këtë si një nevojë për të arritur targetet e caktuara nga Ministria e Financave, duke theksuar se rritja e të hyrave është një prioritet.

“Në pesë vitet e fundit, ATK-ja ka arritur një rritje mesatare prej 12 deri në 13 për qind të të hyrave, dhe këtë vit kemi arritur në 14 për qind,” përfundoi Hyseni.

ATK-ja gjithashtu ka nisur projekte për të luftuar ekonominë joformale, duke u fokusuar në zgjerimin e bazës tatimore dhe identifikimin e bizneseve të pa regjistruara.

“Kemi filluar një projekt për evidentimin e bizneseve të regjistruara dhe faza e dytë do të fokusohet në ato që nuk janë regjistruar. Kjo është një sfidë e madhe për ne,” përfundoi Hyseni.

Nga Rubrika