Një tragjedi e thellë ka tronditur Pozheranin e Vitisë, ku sot u zhvillua ceremonia mortore për Egzon dhe Nafije Bogujevcin.
Vëllai dhe motra, viktima të një krimi të rëndë, dyshohet se u vranë nga Valon Ramushi, i cili i mori jetën gruas dhe vëllait të saj në një ngjarje të tmerrshme që ndodhi në Livoç të Ulët të Gjilanit, të premten në orën 14:26.
Ngjarja tragjike përfshiu gjithashtu plagosjen e rëndë të një personi tjetër, i cili dyshohet se është djali i axhës së viktimave dhe aktualisht ndodhet në kujdes intensiv në QKUK.
Pas aktit të tmerrshëm, i dyshuari u dorëzua në polici, ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Një familjar i afërt i viktimave ka deklaruar se motivi i krimit mund të ketë qenë xhelozia e bashkëshortit të viktimës, duke theksuar se më parë nuk kanë pasur probleme të dukshme familjare. Ai gjithashtu njoftoi se djali i vrarë ishte fëmija i vetëm i familjes.
Valon Ramushi, i dyshuari për këtë vrasje të dyfishtë, është vendosur në paraburgim për një muaj nga Gjykata Themelore në Gjilan, duke shtuar kështu tensionin dhe tronditjen në komunitet.