Tragjedia në Pogragjë: Babai dyshohet për vrasjen e djalit të tij 29-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Pogragjë në Gjilan, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike, duke ngritur pyetje të shumta mbi motivet e kësaj vrasjeje.

Ngjarja e tmerrshme ndodhi mbrëmjen e 11 tetorit, kur Policia mori njoftimin për të shtëna me armë zjarri rreth orës 19:30. Menjëherë, një patrullë policore dhe ekipi mjekësor u dërguan në vendin e ngjarjes, ku u konstatua vdekja e Bajram Arifit, i cili ishte vetëm 29 vjeç.

Hetimet e para sugjerojnë se viktima është qëlluar në njërën nga dhomat e ndejës së shtëpisë së tij. Dyshimet e para e lidhin këtë ngjarje me babain e tij, Remzi Arifi, i cili pas krimit është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij.

Njësitë e hetimeve dhe Krim-teknika kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Trupi i viktimës është dërguar për obduksion për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Gjatë kontrollit të shtëpisë, janë gjetur dhe sekuestruar disa armë dhe municion, përfshirë një pushkë Crvena Zastava M48, një pushkë gjuetie Shotgun, një pistoletë me kalibër të paidentifikuar, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh.

Pas ngjarjes, Policia ka aktivizuar “Unazën e Çeliktë” për të gjetur të dyshuarin, duke angazhuar patrulla të tjera në kërkim të Remzi Arifit, i cili ende ndodhet në arrati.

Rasti po hetohet për “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa autoritetet janë të angazhuara për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

Shënim: Të gjithë personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Nga Rubrika