Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zgjedhur të mos komentojë deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, i cili tha se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren në një të ardhme të afërt.
Kurti, gjatë një interviste, theksoi se për këtë çështje ka folur ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, duke shtuar se është vonë për të diskutuar për këtë temë.
“Ministri Konjufca ka dhënë deklaratat e tij. Më duhet të shkoj për 20 minuta,” tha Kurti, duke u përgjigjur në lidhje me deklaratën e Daçiqit.
Daçiq, i cili është gjithashtu kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, bëri këtë deklaratë më 7 tetor gjatë një tubimi zgjedhor në Rashkë, duke theksuar se flamuri serb do të valëvitet “herët a vonë” mbi Prizren. Ai gjithashtu shprehu se partia e tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Ministri Glauk Konjufca reagoi ndaj këtyre komenteve, duke i cilësuar ato si dëshmi të ambicieve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Ai e konsideroi këtë retorikë si një shenjë të vazhdimësisë së politikave ekspansioniste të Beogradit.
Në një postim të tij më 10 tetor në platformën “X”, Konjufca theksoi se deklaratat e Daçiqit tregojnë se ambiciet territoriale të Serbisë nuk janë thjesht një reminishencë e së kaluarës.
Ai gjithashtu lidhte deklaratën e Daçiqit me paraqitjen publike të Milan Radoiçiqit në një tubim të Partisë Progresive Serbe, ku ishte i pranishëm edhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Konjufca bëri thirrje për veprime nga bashkësia ndërkombëtare, duke kërkuar që këto veprime të dënohen dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë, duke theksuar se sovraniteti i Kosovës është i patjetërsueshëm.