Britney Spears: Një rrëfim i hidhur mbi vitet e errëta të kujdestarisë

Britney Spears, ikona e muzikës pop, ka hapur një kapitull të ri të jetës së saj duke ndarë përvojat e hidhura nga kujdestaria ligjore që e mbajti nën kontroll për 13 vite.

Ylli 44-vjeçar, e cila ka kaluar një periudhë të vështirë, ka rikthyer vëmendjen te vitet e humbura, ku vendimet e saj personale dhe financat ishin nën kontrollin e të tjerëve. Ajo ka ndarë një video në Instagram, ku shfaqet me një veshje të zezë dantelle, duke iu përgjigjur kritikëve që e quajnë “të çmendur”.

“Sigurisht që jam e hidhëruar”, theksoi ajo, duke shpjeguar se ky hidhërim lidhet me vitet që iu morën dhe me kufizimet që i penguan lirinë dhe vetëshprehjen si grua.

Spears e pranoi se për gati 15 vjet iu ishte mohuar mundësia për të udhëtuar lirshëm, madje as për të takuar miqtë e saj. Një detaj tronditës ishte konstatimi se vetëm pesë vjet më parë ajo e mbajti për herë të parë një kartëmonedhë prej një dollarit.

Kujdestaria ligjore u vendos për herë të parë në shkurt 2008, në një kohë kur jeta e saj private kalonte kriza të thella. Babai i saj, Jamie Spears, mori kontrollin e financave dhe vendimeve të saj jetësore, duke e lënë atë pa mundësi për të vendosur për veten.

Pika e kthesës erdhi në korrik 2021, kur Britney u paraqit para gjyqtares Brenda Penny në Kaliforni. Ajo përshkroi kujdestarinë si një përvojë abuzive dhe kërkoi që babai i saj të largohej nga jeta e saj.

“Kishim përshtypjen se po më shkatërronin. Nëse kjo s’është abuzim, atëherë nuk e di çfarë mund të jetë”, tha ajo, duke e përshkruar trajtimin si mizor.

Mekanizmi ligjor u shpërbë në nëntor 2021, pas gati 14 vitesh. Pas kësaj, marrëdhëniet e saj me prindërit, përfshirë nënën Lynn Spears, mbetën të ftohta dhe të largëta. Britney tani po përpiqet të rindërtojë jetën e saj pas kësaj periudhe të errët.

Pas rifitimit të pavarësisë, ajo ka mbajtur lidhje me djemtë e saj, Sean Preston dhe Jayden James. Në 2022, ajo u martua me Sam Asghari, por ky bashkim përfundoi me divorcin në 2024.

Libri i saj autobiografik “The Woman in Me”, i publikuar në tetor 2023, ofron një pasqyrë të thellë të jetës së saj, karrierës dhe vuajtjeve gjatë viteve të kujdestarisë. Ndërkohë, ajo përballet me sfida të reja, duke përfshirë një incident të fundit me ligjin për ngarje në gjendje të dehur.

Edhe pse jeta e saj ka ndryshuar pas 2021-ës, Britney vazhdon të flasë për dhimbjen e asaj periudhe dhe ndikimin që ajo ka pasur në lirinë dhe jetën e saj private.

Nga Rubrika