Stambolli është përballur me një situatë alarmante pas njoftimeve për reshje të dendura, të cilat kanë shkaktuar vërshime të menjëhershme në disa zona të qytetit. Këto kushte ekstreme kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë krijuar një atmosferë paniku mes qytetarëve.
Mes atyre që u bllokuan nga këto përmbytje ishin edhe dy figura të njohura të showbiz-it turk, këngëtari Murat Boz dhe aktorja Demet Özdemir. Të dy ata ndodheshin në studio kur situata u përkeqësua, duke i detyruar ata të kërkojnë ndihmë urgjente.
Ngjarja ka ndodhur në Phoenix Stüdyoları në Ayazağa, ku uji ka depërtuar me shpejtësi brenda ambienteve, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Murat Boz, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri thirrje për ndihmë nga autoritetet emergjente, duke theksuar rrezikun e situatës.
“Jemi në zonën ku ndodhen Phoenix Stüdyoları në Ayazağa. Çdo gjë është nën ujë, studio po përmbytet dhe energjia elektrike është ndërprerë. Këtu jemi të bllokuar bashkë me qindra punonjës. Presim mbështetje urgjente nga autoritetet”
Situata vazhdoi të përkeqësohej, me Boz që ndau një tjetër mesazh, duke treguar se niveli i ujit po arrinte lartësi kritike. Ai shprehu frikën se situata mund të bëhej edhe më e rrezikshme nëse nuk merrnin ndihmë shpejt.
“Tani po ngjitemi në pikën e fundit ku mund të ngjitemi… Ju lutem, na evakuoni me urgjencë. Këtu ka gra dhe të rinj”
Ndërkohë, Demet Özdemir konfirmoi se ata ishin në kontakt me punonjësit e emergjencave dhe theksoi rrezikun serioz nga ngritja e nivelit të ujit. Ajo shprehu shpresën se autoritetet do të arrinin sa më shpejt për t’i shpëtuar ata.
“Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni shkruar e keni telefonuar. Jemi në kontakt me autoritetet dhe po presim të arrijnë te ne. Shpresojmë që pa humbur më shumë kohë, unë, kolegët e mi dhe të gjithë të tjerët që janë të bllokuar këtu të shpëtohemi. Uji po ngrihet, ky është ngutja jonë më e madhe për momentin”
Situata e krijuar ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë njerëz kanë shprehur shqetësimin e tyre për sigurinë e të famshmëve dhe të tjerëve që ndodhen në rrezik. Të gjithë shpresojnë për një zgjidhje të shpejtë dhe efektive nga autoritetet për t’i shpëtuar ata nga kjo situatë alarmante.

