Benita Paloja: Shqiptarja që po trondit ekranin e Netflix me historinë e saj

Një tjetër emër shqiptar po shkëlqen në ekranet ndërkombëtare, dhe këtë herë është Benita Paloja, e cila po merr vëmendjen e të gjithëve në reality show-n “Love Is Blind” në Netflix.

Ajo është një shqiptare me origjinë nga Kosova, e cila ka vendosur të provojë fatin e saj në këtë format të veçantë, ku dashuria zhvillohet pa u parë me sy. Benita jeton aktualisht në Massachusetts dhe punon në sektorin e sigurimeve, duke mbajtur gjithashtu një lidhje të ngushtë me traditat e saj.

Reality show-i i njohur për trekëndëshat e dashurisë, i jep mundësi beqarëve të krijojnë lidhje emocionale pa u takuar fizikisht. Benita e ka filluar aventurën e saj me një djalë, por ai vendosi të zgjidhte një konkurrente tjetër, duke e lënë atë në një situatë të papritur.

Ironia e situatës është se vajza për të cilën ai e la Benitën, nuk u zgjodh as nga ai. Kështu, ai përfundoi pa asnjërën nga dy vajzat dhe u largua nga eksperimenti, duke lënë Benitën në një gjendje të pasigurt.

Megjithatë, Benita nuk u dorëzua. Ajo filloi të afrohej me një tjetër konkurrent, një kapiten jahtesh, dhe ndau me të një histori të dhimbshme nga e kaluara e saj. Ajo tregoi se familja e saj kishte pasur vetëm pesë minuta për t’u larguar nga shtëpia gjatë luftës në Kosovë, përpara se ajo të digjej nga forcat serbe.

Por, as kjo njohje nuk përfundoi me fejesë. Kapiteni, i cili po njihej edhe me një tjetër vajzë, përfundimisht i propozoi asaj, duke lënë Benitën pa unazë, por jo pa lënë gjurmë në këtë eksperiencë të veçantë.

Deri tani, Netflix ka publikuar vetëm pesë episodet e para të sezonit, dhe ndjekësit janë të etur për të parë se çfarë do të ndodhë me Benitën në vazhdim. A do ta shohim sërish atë në ekran? Kjo mbetet për t’u parë!

Benita, shqiptarja nga Kosova, ka lënë një ndikim të fortë në këtë reality show, dhe me siguri do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes.

Hape postimin origjinal

Nga Rubrika