Edi Rama: Njohja e Kosovës, çelësi për stabilitetin në Ballkan

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka bërë thirrje të qartë nga Brukseli për njohjen e Kosovës nga Serbia.

Gjatë një interviste për Euronews në kuadër të Samitit të Zgjerimit, Rama theksoi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe rolin që ka Serbia në këtë proces.

Ai shprehu shqetësim se, pavarësisht nevojës për stabilitet në rajon, Beogradi duhet të tregojë angazhim të vërtetë për të përmbushur kushtet e nevojshme, përfshirë njohjen e Kosovës si një shtet të pavarur.

“Ajo që vërej është se fituesi në Beograd nuk tregon gatishmëri për të pranuar realitetin e Kosovës. Kjo do të thotë se situata nuk do të ndryshojë lehtë,” tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit nuk duhet të japin leksione, por duhet të kenë një qasje konstruktive ndaj Serbisë, e cila është një pjesë e rëndësishme e mozaikut ballkanik.

Rama shprehu besimin se Serbia duhet të mbetet në rrugën evropiane dhe të mos devijojë nga ky projekt, duke theksuar se është e nevojshme që të ketë rezultate konkrete për të merituar anëtarësimin në BE.

“Serbia duhet të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të angazhohet për të arritur standardet që kërkohen nga Bashkimi Evropian,” përfundoi ai, duke theksuar se stabiliteti në rajon varet nga këto përpjekje.

Nga Rubrika