Skandali me mishin e skaduar nga kompania kosovare “Apetit” ka marrë përmasa alarmante, duke u shtrirë përtej kufijve të Kosovës. Pas bllokimit të katër kontejnerëve me rreth 103 tonë mish viçi të skaduar në Portin e Tivarit, autoritetet malazeze kanë zbuluar se parregullsi të ngjashme janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit.
Administrata Doganore e Malit të Zi ka njoftuar se informacionet e mbledhura për rastet në Durrës janë ndarë me administratat doganore përkatëse. Ky skandal ka tërhequr vëmendjen e Organizates Botërore të Doganave, e cila është njoftuar për situatën e krijuar.
“Përmes bashkëpunimit me administratat doganore të vendeve fqinje, është konfirmuar se parregullsi të ngjashme janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit. Këto informacione janë shkëmbyer me autoritetet përkatëse,” theksohet në njoftimin e doganës malazeze.
Kompania “Apetit” ka përdorur Portin e Durrësit për transportin e mishit të ngrirë nga Brazili, por kjo nuk është hera e parë që ajo përballet me probleme. Në qershor të vitit 2022, një kontejner i kompanisë u kap me 45.5 kilogramë kokainë, e cila kishte ardhur nga Brazili dhe ishte destinuar për Maqedoninë e Veriut.
Ky rast përfundoi me arrestimin e djalit të një prej pronarëve të “Apetit Group”, Arben Ferizi, si dhe të agjentit doganor në Portin e Durrësit, Egert Vargu. Kokaina ishte fshehur në një ngarkesë me mish pule, duke treguar se kompanitë e tilla mund të jenë të përfshira në aktivitete të paligjshme.
103 tonë mish i skaduar në vetëm dy raste
Autoritetet malazeze kanë bllokuar tre kontejnerë me mish viçi më 15 shtator, me një peshë totale prej mbi 77 tonë. Kompania “Apetit” kishte tentuar të mashtrojë me etiketat e vendosura mbi afatin e skaduar të mishit, duke zëvendësuar informacionet me deklarata të tjera.
Pas ndalimit të tre kontejnerëve, më 24 shtator, një tjetër kontejner me 24,650 kilogramë mish viçi të ngrirë u ndal në Portin e Tivarit. Autoritetet thanë se mishi kishte afat përdorimi deri më 14 maj 2026, duke ngritur dyshime për parregullsi të tjera.
Dokumenti zyrtar malazez tregon se kjo kompani mund të ketë kryer parregullsi edhe përmes doganës shqiptare. Administrata Doganore e Malit të Zi ka konfirmuar se ka pasur komunikim me autoritetet shqiptare për të hetuar më tej situatën.
“Apetit” ka justifikuar skadimin e afatit duke thënë se ngarkesat e ndaluara në Mal të Zi nuk kanë hyrë në procedurë importi dhe nuk janë shitur në tregun e Kosovës apo vendeve të tjera të rajonit. Kompania ka pretenduar se vonesat në transportin detar janë shkaku i skadimit të afatit.
Ndërkohë, autoritetet malazeze kanë kërkuar hetime të mëtejshme, duke theksuar se etiketat origjinale me afatin e skaduar ishin hequr dhe zëvendësuar me deklarata të tjera. Kjo situatë ka ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore në rajon.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka rritur kontrollet ndaj operatorit “Apetit” dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa nëse konstatohen rreziqe për sigurinë ushqimore.
