Një protestë e madhe kombëtare do të zhvillohet këtë të shtunë në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra tragjikisht.
Protesta do të fillojë në orën 12:00, nga katedralja “Nënë Tereza”, ku organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë thirrje për drejtësi, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së grave.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka deklaruar se vrasja e Arlindës ka nxjerrë në pah dështimet e sistemit institucional, i cili, në vend që të mbrojë gratë, i lë ato të pambrojtura dhe në rrezik.
“Vrasja e saj ka shkaktuar një krizë të thellë shoqërore, e cila kërkon përgjegjësi nga institucionet për të garantuar sigurinë e grave. Ne ftojmë të gjithë për një protestë kombëtare për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të shpallur femicidin si një emergjencë kombëtare,” tha kolektivi.
Organizatorët theksuan se Arlinda Zekaj ka lënë një amanet për të kërkuar përgjegjësi, dhe kjo protestë është një hap i rëndësishëm për të gjithë gratë dhe vajzat në Kosovë.
Kolektivi feminist gjithashtu ka kërkuar shkarkimin e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, të cilët deri tani kanë refuzuar të japin dorëheqje pas këtij rasti tragjik.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke theksuar se përgjegjësia duhet të merret nga të gjithë ata që janë në krye të sistemit të drejtësisë.
Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Pejë nga ish-kunati i saj, pavarësisht se ajo kishte raportuar rreziqet për jetën e saj tek institucionet përkatëse, por nuk kishte marrë mbështetje.
Edhe pse disa zyrtarë janë suspenduar për këtë rast, protestuesit kërkojnë veprime më të forta dhe përgjegjësi nga ata që drejtojnë sistemin e drejtësisë.
Të shtunën, protestuesit do të kërkojnë që shteti të trajtojë femicidin si një urgjencë kombëtare dhe të sigurojë mbështetje për të mbijetuarat e dhunës në familje.
1. Shkarkim dhe ndjekje penale për zyrtarët e përfshirë në këtë rast; 2. Shkarkimin e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës; 3. Trajtimin e vrasjeve të grave si urgjencë kombëtare; 4. Sigurimin e strehimit për të mbijetuarat; 5. Veting të sistemit të drejtësisë; 6. Legalizimin e vetëmbrojtjes për gratë.
Protesta do të jetë një thirrje për sigurinë e çdo vajze dhe gruaje në Kosovë!