Dustin Hoffman, një nga aktorët më të njohur të Hollywood-it, ka ndarë mendimet e tij për akuzat e ngacmimit seksual që e kanë shoqëruar që nga viti 2017. Ai pranon se sjellja e tij në të kaluarën mund të ketë shkaktuar siklet tek disa gra, megjithatë, mohon akuzat më të rënda që janë bërë ndaj tij.
Rrëfimi i tij është pjesë e autobiografisë “Look at Me”, e cila u publikua më 10 nëntor. Në këtë libër, 89-vjeçari trajton ngjarjet e diskutueshme që kanë shoqëruar karrierën e tij, duke ofruar një pasqyrë të sinqertë mbi jetën dhe veprimet e tij, pa u fokusuar drejtpërdrejt në akuzat e ngritura.
Hoffman thekson se, sidomos rreth katër dekada më parë, mund të ketë vepruar në mënyra që i kanë bërë disa gra të ndihen të pakëndshme. Ai shprehet se ndjenja e pakëndshmërisë është subjektive dhe se ai është i vetëdijshëm për ndikimin e veprimeve të tij në të tjerët.
Aktori e përshkruan veten si një person me humor të guximshëm, duke e quajtur veten ekscentrik. Ai kujton një vlerësim nga Bill Murray, i cili e kishte përshkruar si “një sharmant të modës së vjetër me një sens humori pikant”.
Megjithatë, Hoffman thekson se shakatë dhe flirtimi nuk duhet të ngatërrohen me presionin ndaj individëve për të bërë diçka që nuk e dëshirojnë. Ai e shpreh mbështetje për lëvizjen #MeToo, duke theksuar se shumë gra në industrinë e filmit kanë përjetuar sjellje të papranueshme dhe meritojnë të dëgjohen.
“E dija që atëherë se shumë gra në industrinë time kishin duruar shumë, për një kohë shumë të gjatë”, shkruan ai. Hoffman shpreh habinë se si ai vetë u përball me akuza, duke pretenduar se nuk ka marrë kurrë diçka seksualisht nga një person që nuk e dëshironte.
Akuzat ndaj tij u bënë publike në vitin 2017, kur gjashtë gra e denoncuan atë për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme. Disa nga këto pretendime u publikuan nga revista Variety, duke përfshirë akuzat për ngacmim seksual dhe sulm ndaj një të miture.
Njëra prej grave tha se ishte sulmuar seksualisht në moshën 17-vjeçare, ndërsa punonte si asistente produksioni. Pas publikimit të akuzave, Hoffman kërkoi falje për një nga gratë, por avokati i tij i përshkroi pretendimet si “raporte shpifëse”. Megjithatë, asnjë akuzë penale nuk u ngrit ndaj tij.