Rasti tragjik i vrasjes së Arlinda Zekajt ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe pritet që javën e ardhshme të fillojnë intervistat me dëshmitarët e ngjarjes.
Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Burim Ramadani, ka bërë të ditur se ka nënshkruar ftesat për dëshmitarët, duke shprehur angazhimin e tij për të zbardhur këtë rast të rëndë.
Ramadani, i cili është gjithashtu deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës, theksoi se intervistat do të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke siguruar një proces transparent dhe të drejtë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesën e saj, nga e cila ishte ndarë nga bashkëshorti.
Ajo kishte denoncuar vazhdimisht dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti, duke kërkuar ndihmë nga autoritetet. Që në dhjetor të vitit të kaluar, Zekaj kishte njoftuar se bashkëshorti e kishte kërcënuar me jetë.
Një urdhër mbrojtjeje ishte lëshuar nga gjykata, duke i ndaluar bashkëshortit t’i afrohej, ndërsa kujdestaria e fëmijës së mitur i ishte dhënë asaj. Zekaj kishte të drejtën të qëndronte në banesën e përbashkët.
Pak ditë para vrasjes, ajo kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke shprehur shqetësimin për trajtimin e çështjes së saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Ditën e vrasjes, Zekaj kishte bërë një tjetër denoncim për dhunë në familje. Edhe pse prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i saj në shtëpi mund t’i rrezikonte jetën, ajo insistoi të kthehej, duke u mbështetur në vendimin gjyqësor.
Pak minuta pas kthimit në banesë, ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj. I dyshuari u arrestua më 27 tetor në Deçan dhe gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.